Maqedoni
Petir: BE të ndryshojë qëndrimin, jo Maqedonia emrin
15.06.2017 16:17
Porosia kryesore e Brukselit dhënë qeverisë së re të Maqedonisë është zgjidhja e kontestit me Greqinë që do t’i hapte vendit rrugën eurointegruese...

Në takimin e së hënës me kryeministrin Zaev në Bruksel, eurokomisioneri Hahn hodhi poshtë mundësinë për fillim të bisedimeve paraqasëse me Maqedoninë nën referencën IJRM dhe kërkoi të gjendet zgjidhje e përhershme, për të cilën nevojitet kompromis “që secili të fitojë nga pak”.
Edhe shefi i Diplomacisë greke, Kotzias, dje bëri të qartë se Greqia asnjëherë nuk do të mbështesë integrimin euroatlantik të Maqedonisë pa një kompromis për emrin në Kombet e Bashkuara.
Por, eurodeputetja kroate, Marjana Petir, akuzon BE-në për kritere të dyfishta kur bëhet fjalë për zgjerimin, për të fshehur paaftësinë që të detyrojë Greqinë të ndryshojë qëndrimin e saj kur bëhet fjalë për Maqedoninë.
“Për çfarëdolloj ndryshimi të emrit të një shteti, duhet konsensus i partive politike dhe qëndrim i qytetarëve në referendum. Por, pyetja e vërtetë është nëse guxojmë t’i bëjmë një kërkesë të tillë një shteti të pavarur. Në vitin 2011, Gjykata Penale Ndërkombëtare dha vendimin se bllokada greke për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO është e paarsyeshme dhe Greqia ka bërë shkelje të marrëveshjes së përkohshme të vitit 1999. Pas kësaj, Maqedonia as që ka marrë më ftesë për anëtarësim në NATO e as që ka filluar bisedimet për anëtarësim në BE, qoftë edhe me referencën aktuale. Kjo është tregues i qartë se të gjitha kriteret e tjera që tani i kërkohen Maqedonisë për hapjen e bisedimeve, janë thjesht arsyetim”,- deklaroi eurodeputetja kroate, Marjana Petir.
Dje, Parlamenti Europian miratoi rezolutën për Maqedoninë, ku si kusht për hapjen e bisedimeve përmendej arritja e një progresi të dukshëm në implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe në prioritetet e ardhshme reformuese, por edhe marrëdhëniet e mira dypalëshe.
REJHANE BUSHI-METAJ
