Botë
Tragjedia në Londër, 17 të vdekur, shuhen shpresat për të mbijetuar
15.06.2017 17:14
Autoritetet në Londër nuk kanë asnjë shpresë të gjejnë ndonjë të mbijetuar në kullën 24 katëshe që u përfshi nga zjarri mbrëmjen e së martës...

17 është shifra zyrtare e viktimave, por ekziston frika për rritje të mëtejshme të bilancit, pasi ende në ndërtesë ka njerëz që konsiderohen si të humbur. Për momentin është shumë e rrezikshme që zjarrfikësit të rikuperojnë trupat e djegur nga katet e sipërme të kullës Grenfell, të cilat do të kontrollohen vetëm pasi ndërtesa të shpallet e sigurt.
“Tragjikisht tani nuk presim të gjejmë ndonjë person tjetër gjallë. Nisur nga ashpërsia dhe nxehtësia e zjarrit, do të ishte një mrekulli absolute për këdo që do të mbijetonte. Disa nga strukturat e brendshme nuk konsiderohen si të sigurta për momentin, megjithatë zjarrfikësit e mi kanë qenë deri në katin e fundit natën e kaluar, kanë bërë një kërkim fillestar të shkurtër nga porta. Por, megjithëse ne kemi qenë atje, nuk kemi arritur të bëjmë një kërkim gjithëpërfshirës dhe derisa të jemi të sigurtë nuk do të rrezikoj sigurinë e zjarrfikësve të mi”,- deklaroi shefja e zjarrfikësve në Londër, Dany Cotton.
Kryeministrja, Theresa May, vizitoi skenën e tragjedisë këtë mëngjes dhe foli me shërbimet emergjente. Ajo ka premtuar një hetim të plotë të tragjedisë. Deputeti laburist, David Lammy, e ka etiketuar zjarrin si “vrasjen e korporatave” dhe kërkoi që të bëhen arrestime.
Ministrat ishin paralajmëruar shumë herë mbi veshjen që e kthente kullën e Grenfell në një ferr, por kishin injoruar këshillat e ekspertëve të zjarrit. Ekspertët kishin alarmuar se gjysma e ndërtesave të inspektuara nuk plotësonin rregullat themelore të sigurisë nga zjarri.
GAZMEND KURTISHI
