Maqedoni
Ndotja e Strugës “depërtoi” edhe në Kuvend. Gjorçevi tentoi të keqpërdor foltoren; Xhaferi ia merr fjalën Gjorçevit, fton sigurimin
15.06.2017 17:39
Incident në Kuvendin Republikan. Kryeparlamentari, Talat Xheferi, ftoi sigurimin që të heq nga foltorja deputetin e VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçevin...

Incident në Kuvendin Republikan. Kryeparlamentari, Talat Xheferi, ftoi sigurimin që të heq nga foltorja deputetin e VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçevin, pasi ky i fundit, edhe pse mori fjalën për replikë, deshi fillimisht të bëjë vërejtje procedurale dhe më pas të shfrytëzojë të drejtën për replikë.
Qasja e këtillë vullnetare nuk u lejua nga kryetari i Kuvendit, i cili fillimisht ia mori fjalën dhe më pas urdhëroi sigurimin që ta largojnë deputetin nga foltorja.
Paraprakisht, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, kërkoi nga kryeparlamentari që të thërrasë seancë urgjente për të shqyrtuar situatën me ndotjen e Strugës, nga djegia e deponisë.
“Në afat sa më të shpejtë të thërrisni seancë me një pikë të vetme në rend dite, gjendja me ndotjen akute të Strugës, lidhur me djegien e deponisë, e cila javën e fundit intensivisht krijon probleme të frikshme për qytetarët e Komunës së Strugës. Ky Kuvend nuk duhet të mbetet i nemitur për gjendjen akute në Strugë”,- deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Xhaferi u pajtua se gjendja me ndotjen në Strugë është shqetësuese, por duke u thirrur në Rregullore, sqaroi se për të thërritur një seancë të tillë duhet të ketë nismë me shkrim dhe material për shqyrtim.
“Vetëm për sqarim, ajo duhet të iniciohet me material të caktuar. Në bazë të rregullores, çdo e dyta seancë e rregullt e parlamentit nënkupton që në rend dite të vendoset një pikë e propozuar nga opozita. E dyta e radhës është e konvokuar për tre korrik, kështu që nuk ka pengesa procedurale kjo të bëhet”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Ndërkohë, deputeti i zonës nga radhët e LSDM-së, Jovan Mitrevski, tha se ky problem që ngre VMRO është krijuar gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe nuk është i javës së fundit, madje akuzoi partinë e Gruevskit se në përbërjet e kaluara ka refuzuar amendamentet e opozitës që ofronin zgjidhje për këtë problem.
“Të gjithë pajtohemi se gjendja me deponinë në Strugë është e tmerrshme, katastrofale, akute dhe është mirë që opozita aktuale, pas dhjetë vjetësh në pushtet, u kujtua se në Strugë ka problem. Pajtohem se gjendja është e tmerrshme, por ajo nuk është ndezur javën e fundit. Problem me deponinë kemi 10 vjet të plota dhe për këtë arsye, gjatë përbërjeve të kaluara, kemi parashtruar amendamente pafund që të zgjidhet kjo çështje”,- theksoi Jovan Mitreski nga LSDM.
Ndryshe, në seancën e pestë të Kuvendit pritet të zgjidhen zëvendësministrat e rinj. Me kërkesë të deputetëve të VMRO-së, një ditë më parë, kjo pikë u shty si pika e fundit dhe sipas të gjitha gjasave, zgjedhja e zëvendësministrave të rinj do të ndodh javën që vjen.
SHPËTIM NUREDINI
