Maqedoni
Strugë, digjet deponia, struganët në protesta
15.06.2017 17:56
Struganët në protesta kërkuan që institucionet të angazhohen seriozisht në zgjidhjen e problemit me deponinë e egër në këtë qytet...

Zjarri që prej së mërkurës mbrëma përfshiu deponinë, edhe një herë alarmoi struganët se problemi nuk zgjidhet pa e ngritur zërin fuqishëm.
Qytetarët i dhanë një mesazh edhe pushtetit vendor, duke ndezur kazanët e plehrave para komunës, në mënyrë që autoritetet lokale të ndjejnë nga afër atë që ndjejnë banorët e Strugës pas çdo vënie zjarri të deponisë. Nisma civile “Mjaft” u kërcënua me mosbindje qytetare nëse problemi nuk zgjidhet së shpejti.
“Kërkesa e parë është shuarja e deponisë. Të vendosen roje 24 orë në ditë si dhe kamera mbikëqyrëse. Të dërgohen patrulla policore në intervale të shpeshta kohore. Nëse kjo nuk ndodh, do të thërrasim në mosbindje qytetare, do të ketë bllokada dhe nuk do të paguhen faturat komunale”,- deklaroi Jakov Poposki nga Nisma “Mjaft”.
Në Strugë dje qëndroi ministri i Ekologjisë dhe dy ministrat pa resorë, të cilët premtuan gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për deponinë. Si zgjidhje e përkohshme parashihet që në deponi të vendoset një pikë aktive për mbledhjen e mbeturinave. Komuna ka dorëzuar edhe një kërkesë në qeveri përmes të cilës kërkon të merren masa urgjente për zgjidhjen e problemit.
SANIJE DURAKU
