Maqedoni

Breshri i shkatërroi të mbjellat në Haraçinë, bujqit kërkojnë ndihmë, autoritetet i evidentojnë dëmet

15.06.2017 18:09

Reshjet e mëdha dhe breshri i së mërkurës shkaktoi dëme të shumta në kulturat bujqësore në rajonin e Haraçinës...

Më së shumti kanë pësuar bujqit e fshatit Grushinë, ku pothuajse breshri u shkatërroi të gjitha të mbjellat. Dëmet janë të mëdha, thonë bujqit e kësaj zone, duke kërkuar ndihmë financiare nga Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë për t’i dëmshpërblyer. 
 
“Kjo ara pas meje është e imja, e mbjellë me luledielli dhe si po e shihni pas reshjeve të djeshme pothuajse 100% është e shkatërruar. Luledielli ka qenë në fazën e lulëzimit, por tashmë nuk mbeti asgjë prej saj”,- u shpreh një bujk nga Grushina.
 
“Është koha e të korrurave, por nuk mbeti asgjë prej të mbjellave. Gjithçka u shkatërrua. Ara ime me të mbjella gjithashtu. Këtu pas meje kemi bërë investime të mëdha në najlonë, që janë tërësisht të dëmtuar”,- theksoi një bujk. 
 
“Dy hektarë tokë me të mbjella më janë shkatërruar mbrëmë. I kam marrë ato dy ara me qira dhe tani nuk mbeti asgjë. Investova rreth 1500-2000 euro në larime, fara, plehra dhe najlonë. Prita këtë vit se do të fitoj diçka nga to, por siç e shihni asgjë nuk mbet”,- tha një bujk. 
 
Ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, më pas vizitoi rajonet e dëmtuara, ku tha se komisionet po punojnë në regjistrimin e plotë të dëmeve bujqësore të shkatërruara nga reshjet në zonën Shkup-Kumanovë.
 
“Komisionet e Ministrisë kanë dalë në terren dhe po punojnë në regjistrimin e dëmeve dhe të mbjellave të shkatërruar nga breshëri i   mbrëmshëm. Ky është vetëm një vlerësim fillestar, ndërsa në ditët në vijmë unë bashkë me përfaqësuesit e komisioneve do të përpiqemi që puna e dëmshpërblimit të dëmeve të kryhet sa më parë”,- deklaroi ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski.
 
Pothuajse të gjitha të mbjellat e shkatërruara nuk kanë qenë të siguruara në kompanitë e sigurimit, për shkak të mungesës së mjeteve dhe të mospasjes së tokës në pronësi. 
 
Një pjesë e madhe e sipërfaqes së dëmtuar në rajonin Haraçinë- Grushinë është me luledielli, shalqi, drithëra dhe kajsi. 
 
Në vendbanimet e komunës së Haraçinës, përveç dëmeve bujqësore, janë paraqitur edhe dëme në automjete dhe shtëpi.
 
“Edhe vendbanimi i Orllancës është kapluar nga reshjet e fundit, Grushina siç e shihni, por edhe Haraçina... Kjo është dita e parë e evidentimit të dëmeve, informatat nuk janë 100% të sakta, por dihet se dëmet janë evidente”,- u shpreh kryetari i komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
 
Kryetari Ajvazi thotë se edhe komuna do të formojë komision për evidentimin e dëmeve, që t’u dilet në ndihmë banorëve. 
 
REXHEP QAMILI