Botë
Kabul, sulm në xhami, 4 të vdekur dhe 8 të lënduar
16.06.2017 12:14
Një sulm në një xhami në Kabul të Afganistanit, ka rezultuar me 4 të vdekur dhe 8 të lënduar...

Një vetëvrasës me bombë dhe dy njerëz të armatosur tentuan të hynin në xhaminë Al-Zahra, që përdoret nga komuniteti shiit. Policia pengoi sulmin dhe pati një shkëmbim zjarri të gjatë mes tyre dhe personave të armatosur. Sulmuesit u strehuan brenda xhamisë, ku njëri shpërtheu bombën e lidhur në trup dhe dy të tjerët u vranë nga policia. Mes të vdekurve janë edhe tre civilë dhe një polic.
“Në fillim ata sulmuan dy policët në hyrje të xhamisë dhe hynë brenda saj duke hapur zjarr ndaj besimtarëve që ishin brenda. Më pas hyri edhe një i tretë në kuzhinën e xhamisë dhe shpërtheu bombën”,- tha dëshmitari, Ghulam Abaas.
“Ishte e tmerrshme, si mund të sulmosh besimtarët që falen në xhami. Akte të tilla dhune nuk janë pjesë e islamit. Myslimanët e vërtetë nuk ndërmarrin akte të tilla brutale”,- theksoi dëshmitari, Safar Ali.
Përgjegjësinë për sulmin e mori “Shteti Islamik” përmes Agjencisë së tyre “Amaq”. Militantët sunitë,i konsiderojnë shiitët si heretikë dhe i kanë bërë shpesh edhe në të shkuarën cak të sulmeve të tyre.
GAZMEND REXHEPI
