Botë

Kinë, shpërthim pranë një kopshti fëmijësh, 8 të vdekur

16.06.2017 12:27

Është rritur në 8 numri i të vdekurve nga shpërthimi pranë një kopshti fëmijësh në Kinë. Shpërthimi ndodhi në provincën lindore Jiangsu...

Dy persona gjetën vdekjen menjëherë, ndërsa 6 të tjetër humbën jetën në spital. Mes viktimave nuk kishte fëmijë apo mësues të kopshtit. 65 persona janë plagosur, mes të cilëve 8 janë në gjendje kritike për jetën.
 
“Deri tani na kanë arritur 30 të plagosur për të cilët po kujdesemi”,- deklaroi shefja e infermiereve në spitalin në Fenxian.
 
“Ishte fundi i mësimit, sapo i hapën dyert dhe fëmijët për fat të mirë s’kishin nisur të dalin. Nuk kam ide se çfarë ndodhi. Mua më ra të fikët, më pas e pashë veten në ambulancë. Nuk e di se çfarë ndodhi”,- tha e lënduara gjatë sulmit, Song Lili.
 
“Ne prisnim të merrnim fëmijët nga kopshti. Papritmas diçka shpërtheu, por nuk e morëm vesh saktë se çfarë ndodhi. Kishte panik të përgjithshëm, shumë njerëz të shtrirë në tokë. Ishte e tmerrshme”,- u shpreh e lënduara gjatë sulmit, Vang Pingli.
 
Policia e ka cilësuar shpërthimin si sulm kriminal. Tashmë kanë nisur hetimet dhe po punohet për të zbardhur të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe autorët e këtij krimi të rëndë.
 
GAZMEND REXHEPI