Botë

Rusia: Besojmë se e vramë Al-Bagdadin, liderin e ISIS-it

16.06.2017 13:33

Ministria ruse e Mbrojtjes po heton për të parë nëse njëri prej sulmeve të saj ajrore i ka marrë jetën liderit të “Shtetit Islamik”, Abu Baker al-Bagdadi...

Moska beson se bombardimet e saj nga ajri mund të kenë vrarë Al-Bagdadin dhe qindra luftëtarë të tjerë të grupit të dhunshëm islamik në 28 maj. Shënjestra e sulmit ka qenë një mbledhje e këshillit ushtarak të ISIS-it në kryeqytetin “de facto” të tij, Raqqa, në veri të Sirisë.

Deklarata e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, publikuar nga Agjencia shtetërore “Sputnik”, thotë se në takim ishin të pranishëm 30 krerë të “Shtetit Islamik” dhe gati 300 luftëtarë. Raporte për vdekjen e Al-Bagdadit ka pasur edhe më parë. Vendndodhja e tij është prej kohësh një mister, edhe pse disa thonë se ishte në Mosul të Irakut përpara se koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të niste tetorin e vitit 2016 operacionin për rimarrjen e qytetit.

Por, “Reuters” këmbëngul se Al-Bagdadi ka qëndruar i fshehur në shkretëtirë, duke mos preferuar të qëndrojë as në Mosul e as në Raqqa. Amerika ka vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për këdo që ofron informacione të cilat çojnë në kapjen apo në vdekjen e tij.