Botë

Tragjedia në Londër, identifikimi i të gjithë viktimave - i pamundur

16.06.2017 14:31

30 të vdekur është bilanci zyrtar i tragjedisë në Londër, por të zhdukurit nga zjarri që shkrumboi ndërtesën shumëkatëshe në perëndim të kryeqytetit britanik, janë me dhjetëra...

Mes viktimave ka familje të tëra dhe identifikimi i të gjithë trupave të shkrumbuar mund të jetë një detyrë e pamundur për ekspertët. 
 
Kryeministrja, Theresa May, e përballur me një rrebesh kritikash për faktin se nuk takoi të mbijetuarit e fatkeqësisë gjatë vizitës në vendngjarje, kërkon hetim të plotë dhe këmbëngul se viktimat meritojnë përgjigje. Deri tani janë identifikuar vetëm 6 prej të vdekurve. Autoritetet po shpresojnë që numri i jetëve të humbura të mos mbërrijë në 100 apo më shumë. Personi i parë i identifikuar është refugjati sirian, Mohammed Al Haj Ali,  i cili në Londër studionte për inxhinieri. Vëllai i tij, Omari, arriti të shpëtojë, por Mohamedi, 23 vjeçar, nuk kishte aq fat.
 
“U ktheva të shikoja, por nuk e pashë tim vëlla. Kërkoja të dija ku është e askush nuk më përgjigjej. E thirra me të madhe, pastaj folëm në telefon. Më tha që është ende brenda apartamentit. I bërtita: përse nuk dole? Na nxorën jashtë, mendova se ishte me ne. Por, më tha se nuk e morën, e lanë aty, e lanë dhe ikën pa të”,- deklaroi i mbijetuari, familjar i njërit prej viktimave, Omar Al Haj Ali.
 
Në kërkimin e arsyes përse kulla u dogj aq shpejt, vëmendja po spostohet gjithmonë e më shumë tek shtresa e përdorur për mbulimin e strukturës metalike. Ekspertët janë të mendimit se mund të ishte përdorur një lloj tjetër materiali, shumë më rezistent ndaj zjarrit. Kjo ka nxitur thirrjet për verifikimin e godinave të tjera të cilat mund të jenë gjithashtu të rrezikuara nga i njëjti problem.
 
REJHANE BUSHI-METAJ