Maqedoni

Konferencë ndërkombëtare në UT, mblidhen studiuesit më eminentë

16.06.2017 16:04

Rreth 100 punime nga studiues të vendit dhe të rajonit do të jenë prezentë në Konferencën e parë ndërkombëtare që organizohet në UT nga Fakulteti matematiko-natyror...

Koordinatori i konferencës, Agon Memeti, u shpreh se kjo konferencë ka karakter ndërkombëtar dhe do të ketë punime nga të gjitha fushat shkencore, si informatika, kimia, fizika, gjeografia dhe ekologjia.
 
“Hulumtimet shkencore, të arritura në adresë të konferencës, në vete bartin veprimtari shkencore dhe akademike të rreth 180 punonjësve shkencorë në kuadër të të gjitha drejtimeve në fakultetin e shkencave matematiko - natyrore. Konferenca ka karakter ndërkombëtar me rreth 40 profesorë eminentë, me veprimtari shkencore në arenën ndërkombëtare. Në këtë konferencë janë pranuar 99 punime shkencore në të gjashtë fushat shkencore: biologji, informatikë, kimi, gjeografi-ekologji, matematikë dhe fizikë”,- deklaroi koordinatori i projektit, Agon Memeti.
 
“Ky tubim shkencor që ne e paraqesim për herë të parë para jush ka tubuar ekspertë  të njohur për të diskutuar mbi të arriturat kërkimore, perspektivat e zhvillimeve të ardhshme dhe aplikimeve inovative nga fushat e shkencave kompjuterike: matematika, fizika, kimia, biologjia, gjeografia dhe ekologjia”,- theksoi prorektori, Reshat Qaili.
 
“Ky eveniment është një hap tjetër i rëndësishëm për zhvillim dhe përparim, i cilësisë në shkencë dhe arsim, andaj shkenca është makina kryesore e ndryshimeve të reja tekniko-teknologjike në kohë dhe padyshim që stafi ynë akademik është i përkushtuar në veprimtarinë e përgjithshme akademike në këtë institucion dhe jashtë tij”,- tha dekani i Fakultetit matematiko - natyror në UT, Fauzi Skenderi.
 
VISAR SADIKI