Maqedoni

BE dhe UNDP në mbështetje të pushtetit lokal, Vinton: Mungojnë rregullat në ndarjen e mjeteve

16.06.2017 16:20

BE, në bashkëpunim me UNDP-në, me financimin e projekteve konkrete do të forcojë partneritetin midis shoqërisë civile dhe pushtetit lokal në tërë Ballkanin Perëndimor...

Organizatat qytetare që funksionojnë në nivel lokal kanë më shumë nevojë për resurse, tha përfaqësuesja e UNDP-së, Luiza Vinton, gjatë prezantimit të “Programi rajonal për demokraci lokale në Ballkanin Perëndimor”, por sipas saj komunat duhet të jenë më transparente në shpërndarjen e këtyre mjeteve. 
 
“Ky program ju adresohet më shumë sfidave me të cilat përballet pushteti lokal të cilat ne i hasim çdo ditë. Një nga sfidat të cilat i hasim është se ka një numër të madh të organizatave civile të cilat janë përplot me energji, megjithatë nuk kanë mjete për t’i realizuar. Gjithashtu mungojnë rregullat e qarta dhe procedura me të cilat komunat i ndajnë këto mjete. Ky program i parashikon të gjitha këto sfida në mënyrë që t’i përmirësojë kushtet e organizatave të shoqërisë civile dhe nëpërmjet tyre edhe kushtet për jetën e qytetarëve”,- deklaroi Luiza Vinton nga UNDP.
 
Ndërkohë, udhëheqësi i repartit për bashkëpunim në Bashkimin Europian, Nikolla Bertolini, bëri të ditur se IPA fondet e kthyera pas në Bashkimin Europian nuk janë pasojë e parregullsive në shfrytëzimin e tyre, por për shkak se të njëjtat nuk janë shfrytëzuar fare.
 
“Kthimi i IPA fondeve nuk ka ndodhur se ka pasur parregullsi në shfrytëzim, por vetëm se nuk janë shfrytëzuar të njëjtat. E kur nuk shfrytëzohen të gjitha fondet, ato kthehen prapa. Duhet të theksoj se gjithmonë ka më shumë mjete se sa që ka projekte”,- tha Nikola Bertolini nga BE.
 
Ky program kap vlerën prej 10 milion eurove, që do t’i financojë Bashkimi Europian, dhe do të zgjasë tre vjet në kuadër të të cilit do të realizohen 200 projekte me interes publik në Ballkanin Perëndimor. Buxheti i parashikuar për Maqedoninë është 845 mijë euro.
 
NAIM RAMADANI