Maqedoni

Qeveria e re, Lika: Secili të marrë përgjegjësitë që i takojnë

16.06.2017 16:52

Zëvendëskryeministri për sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve, Hazbi Lika, fillimin e Qeverisë së re e vlerëson si të mirë...

Zëvendëskryeministri për sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve, Hazbi Lika, fillimin e Qeverisë së re e vlerëson si të mirë, por kërkon bashkëpunim intensiv nga të gjitha palët që programi qeveritar të realizohet pa as një pengesë.
 
Në emisionin “Zig Zag” në TV Art, Lika pohon se ka një tendencë bashkëpunimi fillestar, por kjo duhet të vazhdojë gjatë gjithë mandatit të bashkëqeverisjes dhe shqiptarët duhet të jenë të kujdesshëm të shfrytëzohet çdo mundësi për avancimin e proceseve, sepse bashkëpunimi do të thotë edhe që secili duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë.
 
“Është e vërtetë që z. Zaev i ka çelur dyer për ne dhe për të gjithë ministrat e tjerë të koalicionit, por sa është një moment i ri ose një hap i mirë, po aq na ngarkon me përgjegjësi neve, sepse diku më vonë nuk kemi të drejtë të themi se s’kemi pasur qasje në pushtet dhe sistem për të realizuar projekte të caktuara. Duhet patjetër që ta bëjmë maksimumin që të depërtojmë atje ku duhet përmes mekanizmave që ka shteti, që të kemi mundësi, sa më shumë projekte që na kanë ngelur pas, dhе të kompensojmë kohën e humbur, sepse ato ngjarje që ndodhën në të kaluarën, jo vetëm brenda shtetit, por edhe tek projektet që i tangojnë qytetarët”,- deklaroi zëvendëskryeministri për sistem politik, Hazbi Lika.
 
Lika mbështet ndërkohë bashkëpunimin me opozitën, që do të rezultonte me një votë unike shqiptare në parlament për çështjet që i tangojnë qytetarët shqiptarë.
 
“Takimet me opozitën mendoj se duhet të jenë takime më të shpeshta me qëllim që të inkorporojmë në projekte të cilat kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve. Jam i sigurt se çdo parti ka paraqitur para njerëzve çështjet që i kemi paraqitur edhe ne, dhe të paktën kur të vijmë deri tek ato çështje, qofshin ato projekte ligjore apo çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me interesat e qytetarëve, do duhet të bashkëngjiten dhe të votojnë në parlament, sepse fundi fundit ashtu edhe janë deklaruar partitë opozitare”,- theksoi zëvendëskryeministri për sistem politik, Hazbi Lika.
 
Lika është i bindur se me punë do të arrihet që të kthehet besimi i qytetarëve tek institucionet shtetërore, pasi që vetëm kështu Maqedonia mund të bëhet pjesë e familjes europiane. I pyetur se si e vlerëson deklaratën e kryeministrit, Zoran Zaev, se në UNESCO kur të diskutohet për çështjen e pranimit apo jo të Kosovës, Maqedonia do të mbajë qëndrim neutral, zëvendëskryeministri Lika tha Maqedonia e ka njohur Kosovën, ndërsa çështjet si UNESCO apo organizata tjerë ndërkombëtare janë akt i kryer. 
 
SANIJE DURAKU