Maqedoni

Fibroza cistike, dy ilaçe prej sot në treg, Taravari premton rishikim të listës pozitive

16.06.2017 17:20

Pas hapjes së problemit me mungesën në listën pozitive të ilaçeve për pacientët me fibrozë cistike...

Pas hapjes së problemit me mungesën në listën pozitive të ilaçeve për pacientët me fibrozë cistike, të ngritur në emisionin “Pro Vita” në TVM2, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njoftoi se problemi ka filluar veç më të zgjidhet dhe prej sot ilaçet e munguara janë në treg, ndërsa premtoi se do të rishqyrtohet lista pozitive jo vetëm për ilaçet që u duhen këtyre pacientëve, por edhe për sëmundjet tjera me mundësi inkuadrimi të barërave të domosdoshme që mungojnë në këtë listë. 
 
“Nuk kishte ilaçe, prej sot në pazar ka ilaçe. Në treg prej tre ilaçeve dy ilaçe, ndërsa në të ardhmen do të marrim hapa për ta korrigjuar këtë gjendje që brenda kornizave financiare ta vendosim në listën pozitive",- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Taravari, ndërkohë, ka shfuqizuar vendimin e paraardhësit të tij, i cili më 31 maj vendosi ngritjen e çmimeve të ilaçeve në listën pozitive. Që ky vendim mos të godet në xhepin e qytetarëve, ministri Taravari tha se kjo shtesë duhet të mbulohet nga  Fondi për Sigurim Shëndetësor.
 
“Një ditë para se të bëhet dorëzim-pranimi, respektivisht 31 maji, ka nënshkruar një vendim me të cilin rriten çmimet e ilaçeve të cilat Fondi i Shëndetësisë i mbulon... Respektivisht, prej nesër duhej pacientët të paguajnë më shumë. Pasi që ne si ministri kemi thënë se fokusi ynë dhe prioriteti ynë janë pacientët, unë dhe ekipi im juridik marrim masa dhe do ta ndërpresim, apo menjëherë do sjellim vendim që do ta ndalim që të ndodhë kjo që pacientët të paguajnë ilaçet më shtrenjta  prej ditës së nesërme”,- tha ministri i shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Sipas tij, është më mirë që shtesa e ilaçeve të paguhet nga fondi, pra ngarkesa të bjerë mbi buxhetin shtetëror, sesa në xhepin e qytetarëve. Taravari tha se lista pozitive nuk është reviduar tashmë 8 vjet dhe tashmë ka një komision të formuar për këtë qëllim.
 
GYLTENE SINANI