Maqedoni

Diskriminimi gjinor në tregun e punës, gratë kërkojnë barazi, qeveria premton kushte

16.06.2017 17:32

Vazhdojnë tribunat kushtuar diskriminimit të grave në tregun e punës...

Ekspertët potencojnë se femra ka kapacitet të jetë e përfshirë dhe e suksesshme, por në shumë raste pamundësohet nga obligimet shtesë në familje. Pagesa jo e njëjtë për të njëjtën punë vazhdon të mbetet sfidë, për sektorin privat. 
 
“Gratë, për dallim nga burrat, fitojnë prej 18 deri 19 për qind më pak për të njëjtën punë që e bëjnë. Burrat kanë përparësi më të madhe se sa gratë në tregun e punës dhe kjo nënkupton se prej fillimit qasja ndaj grave në tregun e punës është kryesisht i kufizuar”,- deklaroi përfaqësuesja e UNDP-së në Maqedoni, Luiza Viton.
 
Problem kryesor mbetet mungesa e kopshteve për fëmijë, apo orari i pakoordinuar i kopshteve ekzistuese, me oraret e punës së nënave. Kjo pamundëson shumë gra të përfshihen aktivisht në tregun e punës. Kryeministri Zaev premtoi se do të punohet me shumë seriozitet në këtë drejtim. 
 
“Qëllimi ynë është t’u mundësojmë kopshteve të fëmijëve të punojnë në dy ndërrime, jemi duke shikuar mundësinë për të rritur numrin e kujdestarëve nëpër çerdhe për tua lehtësuar prindërve që punojnë me dy ndërrime. Do të hapim çerdhe edhe nëpër vendet rurale. Në program e kemi që prindërit me paga nën ato mesatare, të lirohen nga pagesa në çerdhe dhe shpenzime të tjera për fëmijët. Tre muajt e parë të lindjes, jo vetëm njërit, por t’u jepet pushim të dy prindërve”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Qëllimi i konferencave të tilla është shkëmbimi i përvojave dhe praktikave mes ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendorë, në mënyrë që të inkurajohet debati në Ballkanin Perëndimor mbi sfidat ekzistuese të zhvillimit. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU