Maqedoni

Qeveria në mbledhje vendos për kryeprokurorin dhe shefin e DSK-së

16.06.2017 17:54

Pas pëlqimit nga Këshilli i Prokurorëve Publik, Qeveria vendosi për shkarkimin e kryeprokurorit, Marko Zvërlevski...

Në rend dite është vendosur edhe zgjedhja e drejtorëve të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe BSP-së pranë Ministrisë së Brendshme. Jozyrtarisht mësohet se Llaze Vellkovski është kandidati për postin e drejtorit të BSP-së, kurse Goran Nikollovskit për atë të DSK-së. Ministri Oliver Spasovski tha se ka zgjedhur kandidatët që do t’ia propozojë qeverisë, por nuk i kumtoi emrat e tyre.
 
“Kam vendim se kush do të jenë drejtorët. Do t’i dorëzoj në mbledhje të Qeverisë në momentin kur mendoj se duhet zgjedhur”,- deklaroi ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.
 
Vetë kryeministri, Zoran Zaev, pati deklaruar disa herë që drejtorët në këto dy poste duhet të jenë kuadro profesionistë. 
 
Llaze Vellkovski që do të drejtojë Byronë për Siguri Publike, ishte në krye të Sektorit të Punëve të Brendshme në Shkup, gjatë qeverisë kalimtare kur Spasovski ishte ministër i brendshëm dhe pjesë e kabinetit të ish ministrit, Agim Nuhiu, aktualisht kandidat për zv/ministër. Velkovski, pjesën më të madhe të karrierës e ka në MPB dhe vjen në vend të Mitko Çavkovit. 
 
Goran Nikollovski vjen në vend të Vlladimir Atanasovskit, drejtor në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. 
 
Pas ndërrimit të drejtorëve, në DSK parashihen reforma thelbësore për të pamundësuar keqpërdorimin e shërbimeve dhe sistemeve për ndjekje të komunikimeve, si nevojë e domosdoshme pas megaskandalit me përgjimet e paligjshme.    
 
Këto drejtori, posaçërisht DSK-ja, edhe në këtë mandat mbetet e pakapshme për partitë shqiptare. Deri tani, në shërbimet inteligjente, partitë shqiptare kanë pasur vetëm postin e zëvendësdrejtorit.
 
SHPËTIM NUREDINI