Maqedoni
Mijallkov në PPS, shmang deklaratat për mediat
16.06.2017 17:59
Drejtori i deritanishëm i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov, i shoqëruar nga avokati i tij, ish prokurori publik, Lupço Shvërgovski, është paraqitur në Prokurorinë Speciale Publike...

Mijallkov në PPS ka qëndruar më shumë se dy orë, ndërkaq nuk ka pranuar të prononcohet për mediat për të saktësuar se për cilën lëndë është marrë në pyetje, duke adresuar PPS-në në vendin ku mund të informohemi rreth ngjarjes. As nga PPS nuk kanë njoftuar se për cilën lëndë ka dëshmuar ish-drejtori i DSK-së. Mijallkov është i dyshuar për tre rastet e PPS-së, rastin “Target” ,“Thesari” dhe “Tortura”.
Për rastin “Tortura”, ai ishte në PPS në nëntor të vitit të kaluar, por atëherë nuk dëshmoi për shkak se ka kërkuar që t’i shohë dëshmitë.
Në rastin “Tortura”, Mijallkov është i dyshuari i parë për mënyrën e ashpër dhe çnjerëzore të burgimit të Ljube Boshkovskit në vitin 2011.
Rasti “Traget” ka të bëjë me përgjimet e paligjshme masovike të qytetarëve, gazetarëve dhe biznesmenëve në DSK.
Mijallkov në rastin “Thesari” në PPS dyshohet se derisa ka qenë drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, bashkë me Goran Grujovskin, shef në DSK, dhe Toni Jakimovskin, shef i kabinetit të drejtorit të DSK-së në vitin 2010, kanë udhëtuar në Londër dhe kanë kryer marrëveshje për furnizim të pajisjes për nevojat e Drejtorisë së Pestë. Mirëpo, në vend që furnizimi të realizohet drejtpërsëdrejti përmes Ministrisë, funksionarët e dyshuar e kanë përfshirë edhe Kompaninë “Finzi”, si përfaqësues i MPB-së.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
