MAQEDONI

VMRO dhe BDI kanë qëndrime të kundërta për emrin

01.06.2014 18:01

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe deputet aktual i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski...

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe deputet aktual i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski ka pranuar se në lidhje me kontestin e emrit, dy partnerët e koalicionit kanë qëndrime të ndryshme për dy aspekte. 
 
Njëra, sipas tij, është diskutimi publik i propozimeve që bën ndërmjetësi i OKB-së dhe, tjetra, mënyra e zgjidhjes së emrit, që sipas VMRO-DPMNE-së, duhet të përfshijë edhe referendum. 
 
Në intervistën për REL, ish-ministri thotë se, diskutimi dhe deklaratat mbi propozimet e ndërmjetësit Metju Nimic janë të dëmshme për procesin, sepse, sipas tij, Athina është e prirë të ndërtojë qëndrimet e saj varësisht nga qëndrimi i Shkupit zyrtar. Për sa i përket çështjes së referendumit, ai thotë se BDI nuk duket të jetë e kënaqur nga kjo ide e VMRO-DPMNE-së.
 
“Për BDI-në duket se koha për të zgjidhur kontestin është më e rëndësishme se cilësia e zgjidhjes së këtij kontestit, ndërsa për VMRO-DPMNE-në cilësia dhe qëndrueshmëria e zgjidhjes së mundshme mes Maqedonisë dhe Greqisë është më e rëndësishme se kornizat kohore që dikush kërkon t’i vendosë”, deklaroi Milloshoski.