Aksidentohet luftanija amerikane, 7 marinarë të zhdukur

17.06.2017 16:05

Shtatë marinarë konsiderohen të zhdukur, ndërsa tre të tjerë.....

Shtatë marinarë konsiderohen të zhdukur, ndërsa tre të tjerë, përfshirë kapitenin e anijes, janë lënduar, kur një luftanije amerikane mëngjesin e sotëm është ndeshur me një anije transportuese afër bregdetit të Japonisë, njofton Marina e Shteteve të Bashkuara.

Ekipet e shpëtimit po ndërmarrin operacion të kërkimit për shtatë marinarët që konsiderohen të zhdukur. Mendohet se ata ishin hedhur në det ose kanë mundur të jenë bllokuar brenda seksioneve të dëmtuara të luftanijes, ka njoftuar zëdhënësi i Rojës bregdetare të Japonisë, Yoshihito Nakamura.

Flota e 7-të e Shteteve të Bashkuara njoftoi se luftanija, USS Fitzerald, është përplasur me një anije transportuese me flamur të Filipineve, 56 milje në jugperëndim të qytetit, Jokosuka në Japoni, ku është e vendosur një bazë detare e Shteteve të Bashkuara.

Anija transportuese, ACX Crystal, me kapacitet prej 29 mijë tonelatave, është afro tri herë më e madhe se luftanija amerikane. Marina e Shteteve të Bashkuara tha se nga ndeshja, në tri sektorë të anijes, ka depërtuar uji, por ajo është ende në gjendje të lëvizë në drejtim të bazës në Jokosuka.

Flota e Paqësorit e Shteteve të Bashkuara po zhvillon hetime për këtëincident.