Sigurimi i kuvendit, MPB heton sigurimin e brendëshëm të kuvendit

17.06.2017 18:24

Pas moszbatimit të urdhërit nga kryeparlamentari Talat Xhaferi....

Pas moszbatimit të urdhërit nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, nga sigurimi i kuvendit, për të larguar nga foltorja deputetin e VMRO-DPMNE-së, Vlladimir Gjorçev, Ministria e Punëve të Brendshme po heton sigurimin e brendshëm të Kuvendit.

Nga ministria e Punëve të Brendshme, njoftojnë se sektori për kontrollit të brendshëm tanimë ka filluar hetimet.

“Kontrolli i brendshëm pranë MPB-së, e heton rastin dhe për një kohë shumë të shkurtër do të përgatis raport. Sa të jetë gati raporti, menjëherë do ta njoftojmë opinionin për detajet”, njoftojnë nga MPB.

Lidhur me mosrespektimin e urdhërit të kryeparlamentarit, nga kabineti i i Xhaferrit, sqarojnë se në bazë të rregullores për punën e Kuvendit, kryetari nuk mund të marrë masa ndaj sigurimit të Kuvendit sepse sigurimi i brendshëm i Kuvendit është në kompetenca të Ministrisë së Brendshme.

Sipas neneve 90, 91, 92, 93, 94 të Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit mund të marrë masa vetëm për ti marrë fjalën deputetit i cili shkel rregulloren e Kuvendit, përdor fjalor jopërkatës, flet jashtë temës së diskutimit, prish rendin e seancës dhe të tjera, ndërsa sigurimit i mbetet të zbatojë urdhërin e kryeparlamentarit. Mosreagimi i sigurimit për largimin e deputetit Gjorçev nga foltorja hapi edhe njëherë dilemën për sigurinë e deputetëve, kur kemi parasyshë incidentet e 27 prillit në kuvend.

Masa shtesë për sigurinë e kuvendit pritet pas shkarkimit të djeshëm nga ana e qeverisë të drejtorit të DSK-së dhe BSP-së dhe zgjedhjen e drejtorëve të ri, Llaze Vellkovski në Byronë për Siguri Publike, i cili vjen në postin që deri tani e drejtonte Mitko Çavkov dhe  Goran Nikollovski në  Drejtorinë për Siguri dhe Kunderzbulim, i cili në këtë pozitë vjen pas shkarkimit të Vlladimir Atanasovskit.

Qeveria ka konstatuar se drejtorët e shkarkuar Çavkov dhe Atanasovski kanë marrë pjesë në aktivitete të palejuara dhe të kundërligjshme kundër shtetit, përfshi edhe përgjegjësinë e Çavkovit në incidentet e 27 prillit. (Naim Ramadani, TVM2)