Notat pozitive nga BE-ja, Bilalli: Reforma të thella dhe luftë me krimin
Maqedonia po fillon një etapë të re në procesin eurointegrues....

Maqedonia po fillon një etapë të re në procesin eurointegrues. Pas vizitës së kreut të qeverisë në institucionet e BE-së dhe NATO-s, ku u garantua mbështetje pa rezervë për anëtarësimin e vendit në familjen europiane, nota positive erdhën edhe nga Parlamenti Europian, i cili pak ditë më parë miratoi Rezolutën për Maqedoninë me premtimin se Parlamenti Evropian do të mbështesë hapjen e negociatave për pranimin në BE, pasi vendi të ketë progres të prekshëm në zbatimin e marrëveshjes së Przhinës dhe në prioritetet urgjente të reformës.
Analisti politik Mersel Bilalli, thotë se Qeveria duhet të fokusohet në zbatimin e reformave, luftën kundër krrimit dhe korrupsionit dhe miratimin e ligjeve me interes për bashkësitë etnike.
“Unë mendoj se në tri gjëra duhet të fokusohen, momentalisht. E para, në proceset eurointegruese. Unë mendoj se bashkësia ndërkombëtara ka disponim që në instant procedurë sëpaku sa i përket NATO-s, Maqedonia të mund të pranohet brenda një viti. E dyta, angazhimi serioz, i një procesi kundër krimit të organizuar dhe korrupcionit dhe e treta të mund të miratohen ato ligje, të cilat koalicioni ka arritë marrëveshje që ka të bëjë me gjuhët dhe interesa të tjera të bashkësive etnike, duke përfshirë në rend të parë shqiptarët, cështje tjera, me siguri do të mbeten të bisedohen në koalicionin e ardhshëm.” – tha profesori universitar, Mersel Bilalli.
Sipas Bilallit me rëndësi të posaçme është ndërtimi i një gjyqësie profesionale dhe të pavarur e cila do të mbrojë qytetarët nga krimi dhe jo anasjelltas.
“Reforma të thella institucionale të cilat e kanë të vështirë të jetësohen, por duhet të startohen. Pra t ëmund të ndërtojmë institucione të cilat me automatizëm do ta pengojnë dhe do ta ndjekin krimin e organizuar. Duhet të ndërtohen gjykata të cilat jo t’i mbrojnë kriminelët, por qytetarët, shtetin dhe interesat e tyre.” - u shpreh profesori universitar, Mersel Bilalli.
Ndryshe, Deputetët e Parlamentit Evropian e kanë mirëpritur formimin e qeverisë së re dhe e nxisin që, së bashku me të gjitha partitë politike, të rikthejnë besimin në institucionet e vendit.
Raportuesi për Maqedoninë, Ivo Vajgl, tha se Parlamenti ka marrë shënim pozitiv për përparimin e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE dhe se Maqedonia tani duhet të përshpejtojë procesin e miratimit të standardeve, vlerave dhe parimeve të BE-së, duke kontribuar kështu edhe në stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
