Portugali, zjarri u merr jetën 57 personave
Nga zjarret në disa male në pjesën qendrore të Portugalisë kanë humbur jetën të paktën 57 persona...

Nga zjarret në disa male në pjesën qendrore të Portugalisë kanë humbur jetën të paktën 57 persona ndërsa janë lënduar dhjetëra të tjerë.
Shumica e viktimave kanë humbur jetën brenda automjeteve të tyre në përpjekje për t’u larguar nga zona “Pedrogao Grande”, 50 km në juglindje të Coimbrës.
Sekretari i Shtetit për Çështjet e Brendshme, Jorge Gomes tha se 3 persona vdiqën nga asfiksimi, ndërsa 18 të tjerë teksa udhëtonin me 4 automjete. Ndërsa të paktën 59 persona janë të plagosur përfshi edhe 6 zjarrfikës dhe një vajzë 8-vjeçare me djegie, e gjetur teksa endej e vetme pranë zjarreve. Poashtu dy zjarfikës rezultojnë të zhdukur.
Afro 600 zjarrfikës dhe 160 makina janë vendosur mbrëmë vonë për ta ndalur stuhinë e zjarrit, e cila siç thonë mediat portugeze ende nuk është vënë në kontroll.
“Për fat të keq duket se kjo është tragjedia më e madhe që ne e kemi parë gjatë viteve të fundit nga zjarret në male”, tha sot kryemninistri i Portugalisë, Antonio Costa.
Autoritetet thonë se numri i të vdekurve mund të rritet. Kryeministri Costa tha se Spanja i ka dërguar dy aeroplanë me bomba uji për t’i ndihmuar zjarrfikësit portugezë në terren. Edhe Bashkimi Evropian do të dërgoj aeroplanë të zjarrfikjes pas kërkesës së Potrugalisë.
Në Portugali aktualisht po mbretëron vapë e madhe, ndërsa sot në disa rajone, është regjistruar temperatura prej më tepër se 40 gradë Celsius.
