Sërish sulm terrorist në Londër, makina godet turmën para xhamisë, një i vdekur

19.06.2017 10:45

Rikthehen sulmet terroriste në Britani...

Londra është tronditur nga një tjetër sulm terrorist, shënjestra e të cilit nuk ishin njerëzit e thjeshtë nëpër rrugë. Agresori e ka pasur shumë të qartë në kokë se kë do të sulmonte.

Objektivi i 48-vjeçarit të prangosur tashmë nga policia ishin besimtarët myslimanë.

Një person u vra e 10 të tjerë u plagosën, kur furgoni i drejtuar prej tij u përplas mbi njerëzit e mbledhur pranë një xhamie në veri të Londrës. Kamioni është ngjitur në trotuar e ka goditur grupin e besimtarëve pak pas mesnatës në “Finsbury Park”.

“Furgoni erdhi dhe shkeli njerëzit jashtë, njëri vdiq. Shoqëria doli jashtë dhe filloi ta gjuajë me shqelma. Pastaj disa prej djemve e kapën, nuk i bënë gjë, vetëm pritën të vijë policia. Ky është sulm terrorist”,- deklaroi një dëshmitari okular.

“Furgoni erdhi në këtë rrugë që është njëkahëshe dhe u përplas me njerëzit. Pra dukej që erdhi qëllimisht këtu. Ne arritëm t’i bëjmë foto sulmuesit nga afër”,- u shpreh një dëshmitari okular.

Policia po e trajton rastin si “sulm të mundshëm terrorist” dhe kërkon që njerëzit të jenë të bashkuar në këto ditë të këqija për Britaninë.

Pa marrë parasysh se cili ka qenë motivi i sulmit, ai po trajtohet si sulm terrorist dhe po hetohet nga departamenti i antiterrorist. Ishte një sulm ndaj Londrës dhe të gjithë banorëve të saj. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër ekstremistëve, pa marrë parasysh cilët janë ata”,- deklaroi zëdhënësi i policisë së Londrës.

“Sulmi i mbrëmshëm ishte një sulm i tmerrshëm. U apelojmë të gjithë njerëzve të ruajnë qetësinë, por të jenë vigjilentë. Forca policore shtesë janë duke u dërguar në mbrojtje të komuniteteve, sidomos atyre që e mbajnë Ramazanin”,- tha kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan.

Këshilli i myslimanëve të Britanisë thotë se furgoni është lëshuar qëllimisht në drejtim të besimtarëve që po dilnin nga xhamia pas lutjeve të mbrëmjes në këtë muaj të shenjtë për myslimanët.

Këshilli e cilësoi incidentin një “manifestim të dhunshëm të islamofobisë” dhe kërkoi përforcimin e masave të sigurisë rreth xhamive.

Britania është përballur me një seri incidentesh gjatë muajve të fundit, përfshirë sulmin terrorist në Manchester dhe atë në afërsi të “London Bridge”, që lanë pas dhjetëra të vrarë. (Gyltene Sinani, TVM2)