Botë
Francë, Macron nuk ndalet, partia e tij fiton shumicën në parlament
19.06.2017 10:57
Partia e presidentit francez, Emmanuel Macron, ka siguruar një shumicë të qartë parlamentare, vetëm pak javë pas triumfit që e çoi 39-vjeçarin në krye të Elizesë...

Me pothuajse të gjitha votat tashmë të numëruara, “Republika në marshim” dhe aleatët e saj, “MoDem”, kanë fituar më shumë se 300 vende në Asamblenë Kombëtare 577-vendëshe të Francës. Aleanca e kryesuar nga Partia Republikane ka ngelur me 125 deputetë, kurse ajo e kryesuar nga Partia Socialiste arriti të nxjerrë vetëm 49 deputetë. Partia e ekstremit të djathtë, Fronti Nacional, ka siguruar vetëm tetë ulëse në legjislativin e ri, kurse aleanca në të cilën ndodhet Lëvizja “Franca e papërkulur” e majtistit ekstrem, Jean-Luc Melenshon, do të përfaqësohet nga 30 deputetë.
Rezultati i këtyre votimeve sposton kështu nga vëmendja të gjitha partitë e mëdha dhe i jep presidentit të ri një mandat të fortë në Parlament për të ndjekur planet e tij pro Bashkimit Europian dhe reformat miqësore për biznesin. Macron tani i ka duart e lira të realizojë reformat e premtuara para zgjedhjeve dhe, që këtë muaj, qeveria e tij synon të nisë procedurën e miratimit të ligjeve për të drejtën e punësimit.
Partia e Macronit u formua vetëm një vit më parë dhe gjysma e kandidatëve të saj kanë pak, ose asnjë lloj eksperience politike.
Raundi i dytë i zgjedhjeve parlamentare në Francë pati një pjesëmarrje prej 42%, shumë më e ulët sesa ajo e vitit 2012. Vëzhguesit mendojnë se kundërshtarët e Macronit thjesht nuk janë lodhur që të dalin e të hedhin votën e tyre, me bindjen se e kanë të humbur. Mes votave kundër kishte edhe nga ata që janë simpatizantë, por tregohen të kujdesshëm me pushtetin.
GYLTENE SINANI
