Botë

Trump do të presë Poroshenkon në Shtëpinë e Bardhë

19.06.2017 13:34

Donald Trump mund të takojë presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, përpara atij rus, Vladimir Putin...

“Detajet do të përpunohen deri në minutat e fundit, - thonë mediet e huaja, - se nuk ka sesi shpjegohet ndryshe fakti që Poroshenko ende nuk e ka bërë publike axhendën e vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, të planifikuar për javën që vjen”.
 
Ministria e Jashtme në Kiev e ka konfirmuar se do të ketë një takim mes presidentëve, por nuk e ka saktësuar datën. Që pas fitores së Trumpit në presidencialet amerikane, në Ukrainë është folur shpesh për një takim të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë.
 
Koha e takimit është me shumë rëndësi, sepse Poroshenko dëshiron ta takojë shefin e Shtëpisë së Bardhë përpara se ai të gjendet përballë Putinit.
 
Në këtë mënyrë, kreu i shtetit ukrainas do të ketë mundësinë të shpjegojë këndvështrimin e tij mbi konfliktin në vendin e vet, e mundësisht të sigurojë mbështetjen e Amerikës.
 
Trump dhe Putin do të takohen për herë të parë së bashku, në kuadrin e takimit të G20-s në Hamburg, në fillim të korrikut. Edhe pse nuk e pranon hapur, Kievi i druhet një marrëveshjeje mes Moskës dhe Uashingtonit, nisur nga fakti që Trump e ka lavdëruar shpeshherë shefin e Kremlinit gjatë fushatës, e sipas “Deutsche Welle”-s ka pasur madje edhe paralajmërime për njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë./Top Channel