Zjarret në Portugali, tre ditë zie në nder të 62 viktimave

19.06.2017 13:35

Portugalia ka shpallur tre ditë zie kombëtare për 62 viktimat....

Portugalia ka shpallur tre ditë zie kombëtare për 62 viktimat e një prej zjarreve më vdekjeprurëse në pyjet e vendit.

Katër fëmijë janë mes viktimave, shumë prej të cilave janë gjetur brenda në makina ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga rajoni i Pedrogao Grandes.

Qindra zjarrfikës vazhdojnë ndërkohë të luftojnë me flakët në shumë fronte. Ekziston ndërkohë frika se bilanci i viktimave mund të rritet pasi një numër personash mungojnë në apel.

Shërbimet e emergjencave janë angazhuar në 156 zjarre në të gjithë vendin me kryeministrin Kosta që tha se pjesa më e madhe e viktimave ishin regjistruar vetëm në një prej tyre.

Sipas autoriteteve, pjesa më e madhe e viktimave kishin humbur jetën si pasojë e asfiksimit nga tymi dhe djegiet ndërsa dy ishin vrarë në aksidente rrugore të lidhura me zjarret. 30 trupa ishin gjetur brenda makinave dhe 17 të tjerë pranë tyre në një rrugë lokale.

Vetëm 11 zjarre janë ende aktive por autoritetet janë veçanërisht të shqetësuara për dy prej tyre. Në vendngjarje janë dërguar edhe dy batalione të ushtrisë për të ndihmuar shërbimet e emergjencave.