Zjarri në Londër, Kryebashkiaku: Pasojë e neglizhencës

19.06.2017 12:36

Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan pohoi se zjarri në kullën Grenfell....

Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan pohoi se zjarri në kullën Grenfell është shkak i neglizhencës dhe gabimeve. 58 është numri aktual i viktimave të zjarrit që shkaktoi një revoltë të  thellë publike

“Komuniteti ka ndjesinë se është trajtuar keq pasi janë të varfër,” tha Khan që mori pjesë në një ceremoni përkujtimore në një kishë pranë bllokut të djegur të banesave. Ai e cilësoi zjarrin si një “aksident i parandalueshëm”, duke pohuar se banorët e zhvendosur të klasës së varfër janë të revoltuar për situatën e tyre ndërkohë që jetojnë në një prej distrikteve më të pasura të Britanisë.

Ndërtesa prej betoni e ndërtuar në 1974 ishte riparuar kohët e fundit për t’u mbështjellë me izolant.

Banorët që shpëtuan gjallë thonë se është përdorur material i lirë dhe se administruesit nuk i kanë kushtuar vëmendje mirëmbajtjes së ndërtesës, gjë që solli si rezultat shpërthimin e zjarrit.

Autoritetet njoftuan  hapjen e një procesi hetimor për të zbuluar nëse ka pasur akte penale në veprimet  që çuan në këtë katastrofë.