Pasojat e konflikteve - rekord refugjatësh në botë, shifra mbi 65 milionë
Plot 65.6 milionë njerëz në të gjithë botën, një rekord absolut, janë aktualisht refugjatë, azilkërkues apo të zhvendosur brenda vendeve të tyre...

Sipas UNHCR-së, kjo shifër e përllogaritur në fund të vitit 2016 është rritur me 300 mijë njerëz nga viti 2015. Filippo Grandit, komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, tha se duket se diplomacia ndërkombëtare ka dështuar sërish.
“Duket se bota është e paaftë të arrijë paqen. Prandaj kemi konflikte të vjetra që vazhdojnë, konflikte të reja që nisin, e që të dyja këto largojnë njerëzit. Zhvendosja me dhunë është një simbol i luftërave që nuk mbarojnë kurrë”,- deklaroi Grandi.
Veç rrezikut të luftës dhe vuajtjeve të refugjatëve, OKB paralajmëron edhe për barrën e madhe që po mbahet nga shumë prej vendeve më të varfra të botës, pasi 84% e të zhvendosurve jetojnë në vende të varfra dhe me të ardhura të mesme.
Kjo bën që të ngrihet një pyetje shumë serioze morale, sepse nuk mund t’u kërkohet vendeve të varfra të pranojnë miliona refugjatë, ndërsa vendet e pasura nuk e bëjnë këtë. OKB shpreson se ky rekord refugjatësh do të nxisë vendet e pasura të ndryshojnë pozicion, jo thjesht duke pranuar më shumë emigrantë, por duke investuar për promovimin e paqes dhe rindërtimin e shteteve të tëra të shkatërruara nga konfliktet.
