Maqedoni
Integrimi në BE, Osmani optimist: Brenda 6 muajve, heqim rekomandimin me kusht
19.06.2017 16:43
Maqedonia ka filluar të marrë sinjale pozitive nga Brukseli dhe Qeveria e re ka filluar punën në detektimin e reformave urgjente që vendi duhet të plotësojë në rrugën drejt anëtarësimit në Union...

Zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani, thotë se Sekretariati për Çështje Europiane po përgatit draft versionin e parë të planit aksional për reforma afatgjata dhe afatshkurta që javën e ardhshme do t’i dorëzohen komisionerit, Johanes Han, gjatë vizitës së tij në Shkup. Sipas Osmanit, një nga kushtet e BE-së u përmbush, e ai ishte organizimi i zgjedhjeve të lira parlamentare dhe eliminimi i pengesave politike për qeverinë e re dhe tani radhën e kanë reformat.
“Tash fokusohemi në adresimin agresiv, si po e quaj unë, të reformave urgjente prioritare për të dhënë rezultate të para që në muajt e parë, që deri në zgjedhjet lokale, për të treguar se kjo Qeveri është përkushtuar për t’i realizuar të gjitha premtimet dhe pritjet që ka komuniteti europian ndaj nesh si vend kandidat drejt BE-së. Sekretariati për Çështje Europiane ka përgatitur një plan operacional në të cilin janë përcaktuar të gjitha detyrimet dhe qëllimet që kjo Qeveri mund t’i realizojë në muajt deri në zgjedhjet lokale, që mund të marrim një raport special, i cili do të jetë krejtësisht i pakushtëzuar”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Osmani thotë se paralelisht me zbatimin e reformave urgjente, kjo Qeveri do të përkushtohet edhe në përforcimin e marrëdhënieve fqinjësore edhe me kryesuesin e ardhshëm të Parlamentit Europian, duke përmendur vizitën e radhës në Bullgari.
“Po punojmë në eliminimin dhe tejkalimin e pengesave politike dhe jorastësisht është kjo vizitë në Republikën e Bullgarisë, ku konform edhe Marrëveshjes së partive politike shqiptare është kërkuar që shqiptarët të jenë pjesë e bisedimeve me këtë vend për zgjidhjen e çështjeve të hapura, prandaj është kjo vizita ime me kryeministrin Zaev për shkak se Bullgaria është udhëheqëse e ardhshme e BE-së në 6 mujorin e parë të vitit 2018 dhe është me rëndësi që të jemi pjesë e lartë e agjendës së tyre”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Osmani gjithashtu vlerësoi lart rolin e Kuvendit në konsultimin e gjerë të agjendës europiane me të gjitha partitë politike dhe me sektorin civil.
REXHEP QAMILI
