Propozimi për shkarkimin e Zvërlevskit arrin në Kuvend
Propozimi i qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit, Marko Zvërlevski...

Propozimi i qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit, Marko Zvërlevski, ka mbërritur në Kuvend, me ç’rast procesi për largimin e tij nga kjo pozitë e rëndësishme në Prokurori është kah fundi.
Propozimi është nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski. Tani pritet konvokimi i seancës nga ana e kryeparlamentarit, ku pika kryesore për diskutim do të jetë propozimi për shkarkimin e prokurorit publik, Marko Zvrlevski. Sipas ligjit, Zvrlevski ka të drejtë që të marrë pjesë në seancë, si dhe mund të japë argumente kundër shkarkimit të tij.
Zvërlevski ishte kryeprokuror për katër vjet me radhë, por karriera e tij ishte e ndjekur me një sërë akuzash për njëanshmëri politike në favor të VMRO-DPMNE-së.
Parlamenti mund ta shkarkojë Marko Zvërlevskin me një shumicë të thjeshtë votash, prej 61 vota. Procedura për prokuror të ri shtetëror rrjedh në këtë mënyrë: Kuvendi, me propozim të Qeverisë, publikon shpallje. Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është 15 ditë nga data e shpalljes.
Pasi të përfundojë shpallja, Këshilli i prokurorëve brenda 15 ditëve duhet të japë një opinion mbi kandidatët e paraqitur. Nëse nuk prononcohen, kanë edhe 15 ditë shtesë.
Nëse edhe në këtë periudhë nuk ka asnjë vendim, do të konsiderohet se mendimi është pozitiv. Por, në qoftë se Këshilli i Prokurorëve jep një opinion negativ mbi kandidatët, shpallja për përzgjedhjen e prokurorit të ri do të përsëritet. (Sanije Duraku, TVM2)
