Kryeministri Zaev për vizitë zyrtare në Bullgari

20.06.2017 10:07

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev...

Kryeministri Zoran Zaev do të qëndrojë për vizitë në Bullgari, ku do të takohet me homologun e tij bullgar Bojko Borisov dhe me presidentin Rumen Radev. Sofja pas Brukselit është destinacioni i dytë që do ta vizitojë Zaevi pas formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë.

Kryeministri i Maqedonisë duke e paralajmëruar vizitën e Bullgarisë këtyre ditëve disa herë theksoi se nga Sofja e cila nga 1 janari i vitit të ardhshëm e merr kryesimin me BE-në, pret bashkëpunim të mirë dhe mbështetje për aspiratat euroatlantike të Maqedonisë.

Vizitat në Bruksel dhe vendet fqinje, thotë Zaev, do të thonë aktivitet i përforcuar me ndihmën e miqve nga BE-ja dhe nga fqinjët që Maqedonia të lëvizë drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO dhe BE.

Edhe kryeministri bullgar Bojko Borisov, pas zgjedhjes së Qeverisë së re të Maqedonisë, shprehu bindje se Sofja dhe Shkupi do të punojnë për përforcim të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe për afrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO. Pas takimit të javës së kaluar me kancelaren gjermane Angela Merkel, Borisov deklaroi se dëshiron që Maqedonia si shtet fqinj të jetë stabil.

"Për këtë arsye e binda kancelaren Merkel dhe të tjerët se duhet t'i japim mundësi Qeverisë së re", deklaroi Borisov.

Edhe Sergej Stanishev, ish-kryeministër i Bullgarisë dhe lider i Partisë Socialiste Bullgare, dhe kryetar aktual i partisë së Socialistëve Evropianë, e vlerëson takimin e nesërm Borisov - Zaev si shenjë të qartë për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë Stefan Vodeniçarov, madje, pret që takimi i dy kryeministrave të të ndihmojë që të hapet dera e BE-së dhe NATO-s për Maqedoninë.

Krahas pjesës politike, është paraparë që delegacioni qeveritar i Maqedonisë i kryesuar nga kryeministri Zaev në Sofje të ketë edhe disa takime afariste.