Mali i Zi dhe Serbia, hapin kapituj të ri me BE-në
20.06.2017 14:01
Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë edhe një hap drejt integrimit në Bashkimin Europian, duke hapur edhe dy kapituj të negociatave për anëtarësim...

Mali i Zi hapi sot kapitullin një për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kapitullin 22 për politikën rajonale. Podgorica po ashtu do të mbyllë kapitullin 30 për marrëdhëniet me jashtë. Mali i Zi, këtë muaj i është bashkuar zyrtarisht NATO-s.
Nga ana tjetër Serbia, hapi sot kapitujt për unionin doganor dhe Ligjin e pronësisë intelektuale. Nga Mali i Zi dhe Serbia kërkohet harmonizimi i rregulloreve të tyre kombëtare me ato të BE-së përpara se të mbyllen zyrtarisht të gjithë kapitujt, duke hapur rrugën drejt pranimit të tyre të mundshëm në BE.
Më 2014, Komisioni Europian ka bërë të ditur se nuk planifikohet ndonjë anëtarësim i ri deri në fund të vitit 2019.
