Maqedoni
Certifikata për standardin Hallall, Bekteshi: Ministria vazhdon subvencionimin
20.06.2017 15:02
Ministria e Ekonomisë vazhdon me mbështetjen financiare të kompanive që aplikojnë standardin hallall në produktet e tyre...

Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për kompanitë të cilat kanë implementuar standardin Hallall gjatë periudhës janar-qershor 2017, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, theksoi se ky është viti i pestë me radhë që kjo Ministri subvencionon 70% të shpenzimeve për kompanitë që aplikojnë këtë standard.
“Ministria e Ekonomisë, duke njohur rëndësinë e zbatimit të standardeve të cilësisë për subjektet e biznesit, për të siguruar mbështetje të vazhdueshme për ekonominë dhe kompanitë, për të 5 vit me radhë realizon masën mbështetje financiare për standardin Hallall. Duke pasur parasysh se këtë vit, deri tani ka arritur vetëm një aplikacion për mbështetje financiare nga Ministria e Ekonomisë, dëshiroj të bëj apel deri te të gjitha kompanitë e interesuara që të aplikojnë”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Një arsye më shumë për të aplikuar këtë standard nga kompanitë vendore është dhe ajo se tregu botëror Hallall vlerësohet në mbi 800 miliardë dollarë, ndërsa ai europian në mbi 66 miliardë dollarë në vit, tha ministri Bekteshi, duke vënë në dukje se tregu Hallall është tregu me rritje më të shpejtë, pasi dy e treta e konsumuesve nuk janë myslimanë, por për ata zbatimi i këtij standardi është bërë sinonim për ushqim të shëndetshëm.
Ndarja e certifikatave për kompanitë u organizua nën patronazhin e kryetarit të BFI-së, Selejman Rexhepi, ndërsa ceremonia u drejtua nga drejtori i Agjencisë Hallall për Maqedoninë, Muamer Veseli.
GYLTENE SINANI
