Maqedoni
“Transportuesi”, Gjykata Penale pranon aktakuzën e PPS-së
20.06.2017 15:24
Këshilli për vlerësimin e aktakuzës pranë Gjykatës Penale në Shkup ka miratuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale...

Këshilli për vlerësimin e aktakuzës pranë Gjykatës Penale në Shkup ka miratuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale në rastin “Transportuesi” kundër kryetarit të Manastirit, Vladimir Talevskit. Edhe kjo aktakuzë sikurse edhe ajo për Drejtorinë e Pestë të MPB-së, ku akuzohej Goran Grujovski, do të gjykohen nga gjykatësja e njëjtë, Lidija Petrovska.
Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, më herët kishte ngritur iniciativë për shkarkimin e gjykatëses së angazhuar në këtë rast pranë Këshillit për vërtetimin e fakteve. Ndërkohë që ky Këshill akoma nuk e ka mbaruar këtë rast dhe nuk ka propozuar që Këshilli Gjyqësor ta shkarkojë të njëjtën, por asaj i jepet të gjykojë rasti i dytë i ngritur nga PPS.
Janeva kishte ngritur iniciativë për shkarkim, pasi që Petrovska me muaj ka mbajtur lëndën në procedurë parashqyrtuese dhe me këtë nuk ka lejuar të fillojë procesi i gjykimit kundër Gryjoskit dhe gjashtë të punësuarve në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, të cilët akuzohen për shkatërrimin, gjegjësisht djegien e dëshmive për përgjimet joligjore.
Nga Gjykata Penale njoftojnë se akoma nuk është caktuar datë për fillimin e gjykimit për rastin “Transportuesi”. Vladimir Taleski akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe është i dyshuari i parë në rastin “Transportuesi”, në të cilin 22 persona ngarkohen për keqpërdorim dhe malverzim me transportin e nxënësve në Manastir, ku kanë dëmtuar buxhetin për 360 mijë euro. Taleski ishte dënuar me burg shtëpiak, ndërsa me kërkesë të PPS-së dy herë i është vazhduar paraburgimi.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
