Maqedoni
Tenda përballë Kuvendit, në protestë personat me nevoja të veçanta
20.06.2017 16:13
Nisma Qytetare “5 në 12”, ku bëjnë pjesë personat me nevoja të veçanta dhe prindërit e tyre....

Nisma Qytetare “5 në 12”, ku bëjnë pjesë personat me nevoja të veçanta dhe prindërit e tyre, vendosën tenda përballë Kuvendit të Maqedonisë që t’u bëjnë me dije përfaqësuesve të institucioneve se vazhdon lufta për të drejtat e tyre. Duke filluar nga sot e deri të enjten, ata do të qëndrojnë në tenda.
“I ftoj të gjithë filantropët, që të vijnë këtu dhe të jenë të njëjtë si ne. Është koha që të gjithë deputetët, ministrat dhe biznesmenët të vijnë dhe të ndajmë problemet tona dhe jo të gjitha premtimet të mbeten vetëm në letër”,- deklaroi personi me nevoja të posaçme, Sularet Alishan.
Ndërkohë, Suzana Stojanovska, nëna e një fëmije me sindromën Daun, tha se janë takuar me ministren për Punë dhe Politikë Sociale, Milla Carovska, dhe e kanë njoftuar me kërkesat e tyre.
“Kërkesa e parë është që kufiri deri më 26 vjet të tërhiqet, sepse atëherë ndërpritet shtesa e veçantë dhe shtohet kujdesi i huaj. Kërkojmë që shtesa e veçantë të vazhdojë deri në fund të jetës dhe të ketë qendra ditore që do t’u ndihmojnë prindërve”,- tha prindi, Suzana Stojanovska.
Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Milla Carovska, paralajmëron se do të eliminohen barrierat teknike në Ligjin për mbrojtje sociale.
“Do të tërhiqet barriera administrative për shtesën e veçantë, që direkt do të kalojë në shtesë për kujdes të huaj. Ueb faqja jonë do mund të shfrytëzohet edhe nga personat me të pamur të dëmtuar. Qendrat ditore do t’i avancojmë që të japim përkrahje për prindërit që fëmijët e tyre duhet t’i vendosin në këto qendra”,- theksoi ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Milla Carovska.
Prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta thanë se do të organizojnë tubime të tilla deri në realizimin e kërkesave të tyre.
FLUTURA LATIFI
