Maqedoni

Zaev: Anëtarësimi në NATO dhe BE, pa alternativë; Borisov: Integrimi i Ballkanit, me rëndësi jetike

20.06.2017 17:12

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, nga Sofja ka kërkuar mbështetjen bullgare për procesin euroatlantik të Maqedonisë...

Veç procesit integrues, Zaevi dhe homologu i tij bullgar, Bojko Borisov, kanë folur edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke përfshirë edhe nënshkrimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Ky i fundit paralajmëroi se do të punojë së bashku me Brukselin si dhe Greqinë për përfshirjen e Ballkanit në BE.
 
“Për vendin tonë nuk ka alternativë tjetër veç anëtarësimit në BE dhe NATO. Në takime hapëm vërtetë perspektiva të reja shpresëdhënëse për forcimin e miqësisë sonë të deritanishme. Biseduam për mbështetjen të cilën Bullgaria mund t’ia japë vendit tonë në procesin eurointegrues. Biseduam edhe i afruam qëndrimet tona në funksion të nënshkrimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim midis dy vendeve tona. Ka mbetur vetëm një detaj i vogël dhe u obliguam që për pjesëmarrje në manifestimin e Ilindenit në Maqedoni që ta përmbyllim nënshkrimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë",- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
 
“Maqedonia e ka shansin historik që të bëjë që qytetarët e saj të ndjehen mirë. Rruga drejt NATO-s dhe BE-së e vendeve të Ballkanit kalon nëpërmjet stabilitetit të brendshëm dhe zgjedhjen e problemeve. Do të bëj çmos të bisedoj me kolegët në Bruksel dhe kryeministrat tjerë, sepse zgjerimi në Ballkan jo vetëm në veri, por edhe në jug është e një rëndësie jetike.  Dua të nënvizoj se do të bëjmë ç’është e mundur që të punojmë së bashku me Greqinë mike për t’i zgjidhur të gjitha problemet, sepse destabilizimi i Maqedonisë do të thotë edhe destabilizim i kufijve tanë. Ne jemi për Maqedoni të vetme, ne jemi për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE”,- u shpreh kryeministri i Bulgarisë, Bojko Borisov.
 
Zaev nga Bullgaria fqinje pret mbështetje edhe në përgatitjen dhe realizimin e projekteve të financuara nga BE. 
 
Ndryshe, së bashku me delegacionin e qeverisë të udhëhequr nga kryeministri, Zoran Zaev, ndodhet edhe zëvendëskryeministri për çështje integruese, Bujar Osmani, ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Gopran Sugarevski, dhe ai i Kulturës, Robert Alagjozovski.
 
“Sot ishte një ditë e rëndësishme në raportet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë. Gjithmonë kemi theksuar se çështja e fqinjësisë së mirë  me shtetet fqinje, para së gjithash me Bullgarinë, dhe pse jo edhe me Greqinë, duhet të adresohen të parat dhe sinjalet që sot i marrim se do të nënshkruhet marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë eliminon një prej pengesave kryesore politike në rrugën tonë drejt integrimit”,- theksoi zëvendëskryeminstri për integrime europiane, Bujar Osmani.
 
Kryeministri Zaev së bashku me kryeministrin e Bullgarisë, Borisllov, pas takimit vendosën lule në monumentin e car Samuilit në qendër të Sofjes, ndërsa të njëjtën kolegu i tij bullgar do ta bëjë gjatë vizitës në Maqedoni te përmendorja e Ilindenit.
 
NAIM RAMADANI