Botë
Shqipëri, ashpërsohet fushata për zgjedhjet e 25 qershorit
20.06.2017 17:32
Pesë ditë para zgjedhjeve, fushata elektorale ka filluar të bëhet e ashpër, të paktën nga Lëvizja Socialiste për Integrim...

Me një gjuhë të ashpër, LSI ka denoncuar kryeministrin, Edi Rama, për thirrje antikushtetuese ndaj policisë që të mbledhë votat për Partinë Socialiste.
Në kërkesë-padinë e LSI-së thuhet se këto thirrje përbëjnë ngjarjen më të rëndë të thyerjes së ligjit, pasi kryeministri ka shkelur të gjithë hierarkinë shtetërore të akteve ligjore. Për këtë arsye, LSI kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare si dhe bërjen e një kontrolli mjekësor për kryeministrin, pasi ai është i paaftë mendërisht për të pasur këtë funksion.
Ndërkohë, Rama e Basha kanë vijuar takimet elektorale. Nga Paskuqani i Tiranës, kryeministri tha se arsyeja e krisjes së koalicionit qeverisës ishte reforma në drejtësi, pasi LSI nuk e ka dashur.
Ndërsa Basha u ndal në Kavajë, ku deklaroi se më 25 qershor do të shkëputet lokomotiva e fundit e trenit të republikës së vjetër.
Më 25 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare si dhe zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Kavajës.
LULJETA NDOKA
