Botë

Europarlamenti propozon të ndërpriten negociatat me Turqinë

20.06.2017 17:56

Negociatat për inkuadrimin e Turqisë në Bashkimin Europian duhet të ndërpriten, nëse ndryshimet e propozuara të Kushtetutës së vendit vazhdojnë....

Negociatat për inkuadrimin e Turqisë në Bashkimin Europian duhet të ndërpriten, nëse ndryshimet e propozuara të Kushtetutës së vendit vazhdojnë, porositën sot eurodeputetët me miratimin e Rezolutës në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian.
 
Eurodeputetët vlerësuan se viti 2016 ishte vit i vështirë për Turqinë, si rezultat i luftës në Siri, valës së refugjatëve, sulmeve terroriste dhe përpjekjes për grusht-shtet dhe në këtë kontekst ata e dënuan tentimin për grusht-shtet dhe shprehën solidaritetin me njerëzit nga Turqia. Rezoluta për Turqinë e pranon rëndësinë e marrëdhënieve të mira midis BE-së dhe Turqisë dhe mbajtjen e dialogut konstruktiv dhe të hapur, i cili është kyç për zgjidhjen e sfidave të përbashkëta, siç janë migrimi, siguria apo terrorizmi.
 
Eurodeputetët propozojnë që të zhvillohet unioni doganor midis BE-së dhe Turqisë, me atë që të drejtat e njeriut dhe liritë themelore do të jenë pjesë e marrëveshjes së re. Megjithatë, europarlamentarët vlerësojnë se masat e ndërmarra si përgjigje ndaj përpjekjes për grusht-shtet janë joproporcionale në Turqi dhe atyre u vjen keq për largimin e nëpunësve shtetërorë, që ndodh në përmasa të mëdha, si dhe për arrestimin e gazetarëve, gjykatësve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe për mbylljen e mediave, shkollave dhe universiteteve.
 
Eurodeputetët në Komitet janë të brengosur për shkak të mosrespektimit të qeverisjes të së drejtës, të të drejtave të njeriut dhe lirive të mediave dhe për shkak të largimit nga lufta kundër korrupsionit në Turqi. Ata e dënojnë mbështetjen e deklaruar për vendosjen e sërishme të dënimit me vdekje nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, që, sipas tyre, do të vejë nën pikëpyetje anëtarësimin e Turqisë në Këshillin e Europës dhe do të çojë drejt ndërprerjes urgjente të bisedimeve për anëtarësim në BE.