Maqedoni
Dita Botërore e Refugjatëve, aktualisht në Maqedoni 32 migrantë
20.06.2017 18:05
Në Ditën Botërore të Refugjatëve, në vendin tonë nuk u regjistrua asnjë hyrje ilegale, njoftuan nga Qendra për Menaxhim me Kriza...

Por, statusi i tyre i pazgjidhur mbetet edhe më tej problem për refugjatët. Kjo ditë synon të kthejë vëmendjen te miliona familje që detyrohen të ikin nga shtëpitë, për shkak të konflikteve apo keqtrajtimeve të ndryshme.
“Për momentin, sipas informacioneve që marrim për bazën ditore në Qendrën për Menaxhim me Kriza, në pikat kufitare në Maqedoni sot nuk është regjistruar hyrje e emigrantëve. Në kampin transitor në Gjevgjeli ka gjithsej 14 migrantë, 3 meshkuj, 3 femra dhe 8 fëmijë, por pika kufitare 59 nuk ka momentalisht migrantë. Në Qendrën e përkohshme në Tabanoc për momentin janë strehuar gjithsej gjashtë emigrantë, ndërsa në Qendrën pranuese në Vizbeg janë vendosur gjithsej 12 emigrantë, azil-kërkues. Gjatë mbrëmjes dhe ditës së kaluar, nga ana e anëtarëve të Ushtrisë se Maqedonisë nuk ka pasur parandalime jolegale në kufirin jugor të vendit”,- deklaroi Nadica Zackova nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Në anën tjetër, Organizatat Humanitare rrëfejnë vështirësitë me të cilat janë përballur në vend. Fillimi i konfliktit në Siri solli një fluks të madh të refugjatëve, të cilëve në vitin 2015 ligjërisht ishte e pamundur t’u ndihmohet. Organizatat humanitare janë të pakënaqura me trajtimin e keq që iu bëhet atyre dhe refugjatëve në vend.
“Por, si u trajtuan refugjatët në këtë periudhë kohore? Definitivisht ne si organizatë, por edhe organizatat tjera, nuk jemi të kënaqur për mbështetjen e shtetit që ka dhënë kundër refugjatëve. Unë gjithherë atë manavrë do të thosha, është bërë, nuk iu është ofruar diçka organizatave dhe shoqatave të cilat janë në shërbim të tyre, pra ai lloj shërbimi nuk u është ofruar siç duhet. Por, ne jemi prapë me refugjatët. Në Tabanoc janë diku 30-35 refugjatë, për çdo natë ne shtrojmë iftare aty gjatë këtij muaji, nuk është çështja e iftarit, por është aspekti moral që i jepet njeriut që të jemi prezentë aty”,- u shpreh Eljesa Ismaili nga Organizata Kulturore Humanitare “Merhamet”.
Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara publikoi raportin vjetor, i cili nxori në pah se 65.6 milionë njerëz në botë janë refugjatë, azilkërkues ose të zhvendosur brendapërbrenda vendeve të tyre.
Lufta civile në Siri mbetet burimi më i madh i të zhvendosurve – me 12 milionë njerëz, apo dy të tretën e popullsisë.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
