Botë

ShBA, kundërpërgjigje kërcënimit rus

20.06.2017 18:57

Shtetet e Bashkuara reaguan fuqishëm ndaj kërcënimit të Rusisë, e cila tha se avionët amerikanë në Siri mund të jenë caqe për sulme...

Tensionet janë rritur pasi ShBA ka rrëzuar të hënën një avion luftarak të Qeverisë siriane. “Do të bëjmë atë që mundemi për t’i mbrojtur interesat tona. Regjimi sirian duhet ta kuptojë se e kemi të drejtën e vetëmbrojtjes përballë “Shtetit Islamik””,- tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, tha se rrëzimi i avionit sirian është “akt i agresionit”. Ministria e Jashtme ruse paralajmëroi se avionët e koalicionit që udhëheq ShBA-ja në Siri, mund të shihen si objektiva për sulme.

Sipas Moskës, edhe linja për parandalimin e aksidenteve ajrore mbi Siri është ndërprerë. Spicer insistoi se ShBA do të vazhdojë të "punojë me partnerët" për të luftuar kërcënimin e “Shtetit Islamik” në Siri.