Kombëtaret, miqësoret

Kombëtaret, miqësoret

02.06.2014 14:18

Gjermania vetëm barazim ndaj Kamerunit, Franca nuk shkoi më shumë se një barazim, ndërsa Belgjika po tregohet e fortë para Kampionatit Botërorë………..

Gjermania, e cila llogaritet një nga skuadrat më të forta për kampionatin botërorë Brazili 2014, nuk arriti më shumë se një barazim 2-2 ndaj Kamerunit në fushën e saj, ndërkaq në këtë sfidë, Shkodran Mustafi nuk u aktivizua fare.

Dëmtimet, por edhe eksperimentet e trajnerit Lëv, bënë që gjermanët t’i zhgënjenin edhe një herë tifozët e tyre.

Mungesat e kapitenit Lahm apo mesfushorit Shvajnshtajger u ndjenë shumë në Mynshengladbah. Lëv pranon se ndaj Kamerunit u bënë shumë gabime dhe shpreson që të gjejë një mënyrë për të mos pësuar kaq shumë gola dhe për të shkuar më lehtë tek porta kundërshtare.

Franca nuk shkoi më shumë se një barazim në miqësoren e luajtur ndaj Paraguait. Skuadra e drejtuar nga Didier Deshamps kaloi e para në avantazh në “Allian Riviera” në Nisë, por nuk arriti të ruajë avantazhin, ndërsa pak sekonda para fundit të sfidës, “Gjelat” e kontrolluan takimin, megjithatë goli vonoi.

Zëvendësi Antoin Griezman realizoi me një gjuajtje të bukur 10 minuta para përfundimit të takimit, ku portieri paraguaian Silva e pati të vështirë të reagonte. 

Franca rrezikon të shkojë në Brazil pa një prej yjeve të saj. Frenk Riberi ka një problem në shtyllën kurrizore dhe sipas të përditshmes sportive “L’Equipe”, pjesëmarrja e tij në kompeticionin më të rëndësishëm në botë është në dyshim. 

Belgjika e ka mposhtur Suedinë me rezultat 2:0 në ndeshjen miqësore. Në këtë takim, Adnan Januzaj nuk ka luajtur asnjë minute. Përfaqësuesja e Belgjikës po tregohet e fortë. Ekipi belg e ka mposhtur Suedinë me rezultat 2;0. në prag të Kampionatit botëror.Golat për Belgjikën i kanë realizuar Romelu Lukaku në minutën e 34-të dhe Eden Hazard në minutën 78-të.