Bruksel, përpjekje për sulm terrorist, vritet kamikazi
Ushtarët belgë kanë qëlluar për vdekje personin e dyshuar si kamikaz në Stacionin Qendror të Brukselit....

Ushtarët belgë kanë qëlluar për vdekje personin e dyshuar si kamikaz në Stacionin Qendror të Brukselit.
Sipas mediave belge, i dyshuari mbante një çantë shpine dhe një brez me bomba. Sapo ai tërhoqi vëmendjen e ushtarëve në stacion, kamikazi shpërtheu një pajisje, por fatmirësisht duke mos shkaktuar asnjë të plagosur.
Pasi ushtarët e pranishëm në stacion kanë qëlluar të dyshuarin, ata gjithashtu kanë kryer edhe një shpërthim të kontrolluar.
Incidenti po trajtohet nga prokurorët si një sulm terrorist. Teksa stacioni dhe sheshi qendror i Brukselit u evakuuan, bizneset dhe restorantet u urdhëruan të mbylleshin, ndërkohë që edhe linjat e metrove që kalojnë në këtë stacion gjithashtu u pezulluan. Ky nuk është sulmi i parë që trondit Brukselin.
Vitin e kaluar, tre kamikazë organizuan sulme binjake në dy stacione nëntokësore, duke i marrë jetën 32 personave. Por, vala e terrorit nuk ka qëndruar vetëm brenda Belgjikës.
Në Spanjë janë arrestuar tre marokenë të lidhur me xhihadin islamik. Një i dyshuar 32 vjeçar, anëtar i celulave të ISIS-it dhe sipas autoriteteve, ishte në fazë të avancuar të radikalizmit. Për dy të tjerët, 38 dhe 33 vjeç, ende po hetohet nëse janë anëtarë të ISIS-it, tani për tani dihet se vetëm ndanin shtëpinë me të dyshuarin e parë.
Të hënën, Franca u trondit nga një përpjekje për sulm kur një person përplasi makinën e tij me atë të policisë në bulevardin Champs Elysee.
Edhe Britania e Madhe ka qenë shënjestër e katër sulmeve në katër muajt e fundit, ku më i rëndi ishte sulmi i Manchesterit me 30 të vdekur dhe më shumë se 100 të plagosur. (Rejane Bushi - Metaj, TVM2)
