Deti Baltik, rrezikuan përplasjen aeroplani rus dhe amerikan
Një aeroplan luftarak rus dhe një aeroplan vëzhgues amerikan....

Një aeroplan luftarak rus dhe një aeroplan vëzhgues amerikan, kanë fluturuar rrezikshëm afër njëri-tjetri këtë javë mbi Detin Baltik, gjatë një ballafaqimi, të cilin ushtria e Shteteve të Bashkuara e konsideroi “jo të sigurt”.
Aeroplani rus e ka interceptuar aeroplanin amerikan të spiunimit, të tipit RC-135, pardje, derisa fluturonte në hapërisën ndërkombëtare, ka thënë një zëdhënëse e Pentagonit.
Sipas saj, aeroplani amerikan nuk ka bërë asgjë që do të mund e provokonte sjelljen ruse. Kjo zëdhënëse nuk i ka konfirmuar raportet në mediat amerikane se të dy aeroplanët ishin afër në 1.5 metër larg njëri-tjetrit. Ky ballafaqim, që ka ndodhur 40 kilometra nga rajoni i Kaliningradit, është konsideruar “jo i sigurt” për shkak se pilotët rusë kishin “kontroll të dobët të aeroplanit dhe shkallë të lartë të shpejtësisë përmbyllëse”, kumtoi ushtria amerikane. Ministria e mbrojtjes e Rusisë e ka kontestuar përshkrimin amerikan, duke thënë se aeroplani i Shteteve të Bashkuara bëri lëvizje “provokuese” kah aeroplani luftarak rus i tipit, Su-27. Gjatë muajve të fundit kanë ndodhur disa incidente të këtilla ndërmjet aeroplanëve luftarakë aemrikanë dhe rusë.
