Gjykata Kushtetuese vendosi: kontestohen përgjimet e paautorizuara nga DSK
Me shumicë votash, gjykatësit kushtetues vendosën për fillimin e procedurës...

Me shumicë votash, gjykatësit kushtetues vendosën për fillimin e procedurës për nenin 175 nga Ligji për komunikime elektronike.
Vendimi i Kushtetueses vjen pas dyshimit për kushtetueshmërinë e nenit kontestues, ndërsa vendimin për këtë do ta dorëzojë në Kuvend, prej ku pret përgjigje brenda 30 ditëve.
Për shumicën e gjykatësve kushtetues, neni 175 është kontestues për shkak se mundëson ndjekjen e komunikimeve nga Drejtoria për Zbulim dhe Kundërzbulim pa kontroll adekuat.
Rreth kushtetueshmërisë së këtij neni në Gjykatën Kushtetuese ka pasur diskutim të ashpër, ku janë përfshirë të gjithë nëntë gjykatësit, duke ofruar dëshmi dhe argumente ”për” dhe ”kundër” nismës.
Gjykatësit: Angelina Markudova, Sadi Murati, Natasha Gaber, Ismail Dardhishta dhe Gëzime Starova, që ishin për ta pranuar nismën e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë së këtij neni, thanë se ky nen rrezikon privatësinë e qytetarëve dhe u mundësohet organeve shtetërore, respektivisht MPB-së dhe DSK-së, lehtësisht dhe të pakontrolluar nga askush, të përgjojnë, rrjedhimisht t’i rrezikojnë të drejtat njerëzore të qytetarëve.
Ndërkaq, gjykatësit: Jovan Josifovski, Elena Gosheva, Vlladimir Stojanovski dhe kryetari, Nikolla Ivanovski, mosmbështetjen e hapjes së procedurës e arsyetuan me faktin se neni kontestues nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se shfuqizimi i këtij neni do të shkaktonte kaos,duke shtuar se operatorët e telekomunikacionit nuk do të jenë të obliguar që të veprojnë sipas urdhrave të MPB-së.
Ndryshe, iniciativa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë së këtij neni është e dorëzuar që në vitin 2015, gjegjësisht në të njëjtin vit kur LSDM filloi me publikimin e materialeve të përgjuara nga ndjekjet e përgjimeve të paligjshme ose të ashtuquajtura “bomba”.
Kjo iniciativë ishte në rend dite të Gjykatës Kushtetuese në mars të këtij viti, por shqyrtimi i saj u anulua për shkak materialit të madh, të dorëzuar bashkë me iniciativën. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
