Botë
ABM: Sivjet i nxehtë ekstrem, anulohen 40 fluturime në ShBA, në Pakistan 54°C
21.06.2017 14:57
Bota duhet të përgatitet për shumë valë të nxehti këtë vit, thanë në Gjenevë zyrtarë të Agjencisë së OKB-së për motin...

Agjencia Botërore e Meteorologjisë i ka publikuar të dhënat e motit të nxehtë që në disa vende ka filluar që në maj me ekstremitete tepër shqetësuese.
Qyteti pakistanez, Turbat, regjistroi 54 gradë celsius në fund të majit, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Azi. Edhe ShBA- të po i vuajnë pasojat e të nxehtit. Në Fenix arritën 48 gradë celsius, në Las Vegas është regjistruar 47 gradë. Për shkak të nxehtësisë së madhe, Kompania “American Airlines” ka anuluar rreth 40 fluturime nga aeroporti në Fenix dhe ka bërë të ditur se udhëtarëve do t’iu mundësojë zëvendësimin, ose kthimin e biletave. E njëjta gjendje është prezente edhe në Arizona, Nevada dhe Kaliforni.
“Problemi është se ne jemi pranë arritjes së kësaj temperature. Sipas të dhënave që kemi, presim valë të tjera të nxehti këtë vit në shumë zona të globit”,- theksoi meteorologu nga WMO, Omar Baddour.
Në vitin 2003, një valë e të nxehtit në Europë shkaktoi 70 mijë viktima, ndërkohë që një fenomen i tillë në Indi dhe Pakistan në vitin 2015 vrau 4 000 persona. Vitin e kaluar, vala e të nxehtit u pengua nga El Ninjo, një fenomen meteorologjik i shkaktuar nga uji i ngrohtë në oqeanin Paqësor.
Këtë vit, ekspertët e motit nuk presin një fenomen të ngjashëm nga El Ninjon. Rekordi botëror i temperaturës së matur është 56,7 gradë celsius, që është regjistruar në Luginën e Vdekjes, në ShBA, në vitin 1913.
GYLTENE SINANI
