Bashkëpunimi ekonomik me Greqinë, OEM: I kënaqshëm, me mundësi zhvillimi

21.06.2017 15:15

Oda Ekonomike e Maqedonisë e vlerëson bashkëpunimin me Greqinë.....

Oda Ekonomike e Maqedonisë e vlerëson bashkëpunimin me Greqinë, në nivelin e duhur, me potencial zhvillimi në sferën e ndërtimtarisë, agrobiznesit dhe përpunimin e frutave dhe perimeve.

Për OEM-në, edhe Linja  e re ajrore direkte Shkup - Athinë është e rëndësisë së lartë për përforcimin e marrëdhënieve për biznesmenët e të dy vendeve.

“Si rezultat i komunikimeve dhe bashkëpunimit me kompanitë greke, kemi vendosur disa sektorë ku do të kenë prioritet në bashkëpunimin bilateral, si ndërtimtaria, agrobiznesi dhe përpunimi i frutave dhe perimeve. Nuk do të jemi të fokusuar vetëm në këto sfera, patjetër do të bashkëpunojmë edhe në sfera të tjera me interes të përbashkët”,- deklaroi drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Aleksander Zarkov.

“Si vende fqinje, potenciali për bashkëpunim është i lartë si në aspektin e kompanive, por ka potencial për të vepruar edhe me projekte të përbashkëta. Tani më kemi krijuar marrëdhënie të mira ekonomike me potencial të lartë përmirësimi. Rëndësi të lartë ka edhe zhvillimi i industrisë, si sferë kyçe për rritje ekonomike. Greqia është një prej 5 partnerëve më të mirë të Maqedonisë në tregti me më shumë investime në tregun bankar, industrinë e naftës, tekstilin dhe të tjera”,- tha kryetari i Odës Industriale të Maqedonisë pranë OEM-së, Sotir Ampov.

Gjatë vitit 2016, Maqedonia me Greqinë ka pasur shkëmbim tregtar në vlerë prej 598 milionë euro, ku 148 milionë euro i përkasin eksportit dhe 450 milion importit. (Gazmend Rexhepi, TVM2)