Maqedoni

Ameti rizgjidhet në krye të UT-së, premton impenjim për kushte më të mira

21.06.2017 15:38

Me 22 vota pro, për të dytën herë radhazi, prof.dr. Vullnet Ameti është rizgjedhur në postin e rektorit të Universitetit të Tetovës...

Në garë për postin e parë të UT-së ishte edhe prorektori për financa, por arriti të marrë vetëm 3 vota senatorësh në një votim të fshehtë. 
 
“Pas votimit të fshehtë, Komisioni Zgjedhor përcaktoi se kandidati, dr. Vullnet Ameti – profesor i rregullt, ka marrë gjithsej 22 vota, ndërsa kandidati, dr. Alifeta Selimi – profesor i rregullt, ka marrë gjithsej 3 vota. Në bazë të rezultateve të votimit, për rektor të Universitetit të Tetovës për periudhën e ardhshme katërvjeçare është zgjedhur dr. Vullnet Ameti – profesor i rregullt, të cilit i dëshirojmë sukses në zbatimin e Platformës së pasur programore për punën e Universitetit”,- deklaroi kryetari i Komisionit Zgjedhor – UT, prof. dr. Ejup ajdini.
 
Rektori i rizgjedhur, Ameti, tha se besimi i senatorëve është një detyrim për të dhe këtë besim do ta shndërrojë në punë për të krijuar kushte sa më të mira për studentët dhe profesorët.
 
“Është një privilegj, sepse të të besohet posti i rektorit i këtij universiteti, të lindur dhe rritur nga populli, për të cilin është derdhur gjak dhe është ndarë kafshata e gojës e shumë familjeve nga Tetova dhe mbarë trevat shqiptare, është vërtet një nder. Besimi i dhënë nga ana e profesoratit, studentëve, Këshillit të Rektoratit, Senatit të Universitetit të Tetovës dhe mbarë komunitetit akademik më impenjon mua edhe më shumë, që t’i përvesh mëngët dhe, së bashku me bashkëpunëtorët e mi të afërt, të vihem në shërbim të komunitetit akademik, studentëve dhe profesorëve, si dhe mbarë shoqërisë”,- tha rektori i UT-së, Vullnet Ameti.
 
Pas legalizimit të UT-së, Vullnet Ameti është rektori i parë që e fiton dy herë radhazi këtë post. 
 
VISAR SADIKI