Marrëveshja me Bullgarinë - VMRO: Zaev jotransparent, nënshkruan lehtësisht

21.06.2017 16:14

Deklaratat e kryeministrit dhe marrëveshjet e reja mes Shkupit dhe Sofjes....

Deklaratat e kryeministrit dhe marrëveshjet e reja mes Shkupit dhe Sofjes kanë nervozuar VMRO-në, e cila vlerëson se kjo çështje prek historinë dhe identitetin maqedonas dhe marrëveshjet me Bullgarinë nuk mund të nënshkruhen kaq lehtësisht, pa analiza dhe konsultime paraprake. VMRO kërkon shqyrtim të marrëveshjes, të cilën kryeministri Zaev u pajtua ta nënshkruajë.

VMRO, madje, akuzon kreun e ekzekutivit, se duke cilësuar si të mbyllur një kapitull urrejtjeje, ka ofenduar të gjithë maqedonasit, të cilët, sipas VMRO-së, asnjëherë gjatë historisë nuk kanë përhapur urrejtje e nacionalizëm ndaj popujve të tjerë.

“VMRO-DPMNE-ja angazhohet për fqinjësi të mirë, që nënkupton respektim të ndërsjellë dhe mbështetje. Këtë qëndrim e kemi pasur dhe do ta kemi si ndaj Bullgarisë, po ashtu edhe ndaj Greqisë, si dhe fqinjëve të tjerë. Mirëpo ajo që na shqetëson është deklarata e Zoran Zaevit, se Maqedonia ka mbyllur një kapitull të historisë së nacionalizmit dhe urrejtjes. Cila është ajo histori e urrejtjes dhe nacionalizmit që ka pasur populli maqedonas. Është turp të fyesh popullin tënd për përhapje të nacionalizmit dhe urrejtjes. Maqedonasi asnjëherë s’ka qenë nacionalist dhe nuk ka përhapur urrejtje. VMRO-DPMNE është e shqetësuar për mostransparencën dhe lehtësinë e qasjes së Zaevit për një çështje mjaft serioze, siç është nënshkrimi i marrëveshjes me Bullgarinë. Kjo çështje prek identitetin dhe historinë e popullit maqedonas dhe se është e papërgjegjshme që e njëjta çështje të trajtohet në nivel të konferencave të përditshme, pa analiza serioze, si edhe pa një pajtim të përgjithshëm nuk duhet të paralajmërohet nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë”,- deklaroi Trajko Velianovski nga  VMRO-DPMNE.