L. Q. “12 pa 5” ende në tenda, takimi me ministrat pa marrëveshje konkrete
Iniciativa qytetare “12 pa 5”, u takua me ministrat e Arsimit dhe Shëndetësisë....

Iniciativa qytetare “12 pa 5”, u takua me ministrat e Arsimit dhe Shëndetësisë, por përveç premtimeve, nuk pati asnjë marrëveshje konkrete.
Ministrat dëgjuan sugjerimet e përfaqësuesve të personave me nevoja të posaçme për ndryshime ligjore, për sigurimin e kushteve më të mira për këtë kategori qytetarësh në spitale dhe shkolla, dhe premtuan të shqyrtojnë mundësitë ligjore, sepse koha e funksionimit të ekzekutivit të ri është e shkurtër, ndërsa për kërkesat e tyre duhet kohë më e gjatë për analizë më të mirë.
“Në fushën e shëndetësisë, folëm për angazhimin e logopedëve. Ne tashmë kemi përgatitur grup njerëzish të cilët përgatisin ose ndryshojnë Ligjin për mbrojtje shëndetësore. Këtë më vonë do ta themi, por të shohim njëherë ç’farë mund të bëjmë. Nuk kemi diçka konkrete, që mund të themi se do të bëjmë ditëve në vijim, sepse kërkojnë ndryshime ligjore, ndërsa ndryshimet ligjore kërkojmë pak kohë dhe nuk bëhen menjëherë. Natyrisht, do të jemi të hapur dhe do të bëjmë gjithçka në suaza të mundësive tona”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Përfaqësuesit e Iniciativës “12 pa 5” shpresojnë se problemet e tyre do të gjejnë zgjidhje së shpejti.
“Nuk kishte premtime konkrete, sepse nuk presim që në takimin e parë të ndodhin ndryshime të mëdha, sepse disa punë kërkojnë më shumë kohë, por në fillim do të formohen grupe pune që do të fillojnë prej nesër të punojnë në këtë drejtim”,- theksoi Suzana Stojanovska nga Shoqata e Personave me Sindromën Doun.
Prindërit dhe fëmijët me nevoja të posaçme vazhdojnë të qëndrojnë në tenda përpara Kuvendit për të kërkuar jetë më të mirë për ta. Një grup i OJQ-ve përmes peticionit ka siguruar 10.000 nënshkrime, i cili është dorëzuar në Parlament dhe pritet të ndërmerren masat e nevojshme për kërkesat e tyre. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
