Maqedoni
Përmirësimi i raporteve me fqinjët, Bilalli: Qasje e re, konform standardeve të BE-së
21.06.2017 17:36
Promovimin e raporteve të mira ndërfqinjësore me Greqinë dhe Bullgarinë...

Promovimin e raporteve të mira ndërfqinjësore me Greqinë dhe Bullgarinë, analistët politikë në vend e vlerësojnë si një hap të domosdoshëm për rrugëtimin e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s. Sipas tyre, mënyra e vetme për të zgjidhur kontestet e hapura me këto dy shtete është krijimi i klimës pozitive, sepse nuk ka alternativë tjetër veç zgjidhjes së problemeve.
“Deri tani, mendoj se me qëllim është ushtruar një politikë populiste në lidhje me raportet me fqinjët, qëllimisht duke satanizuar fqinjët se ia duan të keqen popullit maqedonas, që të mobilizon masën nacionaliste, e cila masë është edhe pasvotuese dhe qëllimi është mbajtja e pushtetit. Kjo është një qasje e re konform standardeve të Unionit Evropian dhe nënkupton pra afërsi me fqinjët, madje edhe kur keni probleme të mëdha, në qoftë se krijoni klimë pozitive shumë më lehtë mund t’i tejkaloni ato”,- deklaroi profesori universitar, Mersel Bilalli.
Sipas Bilallit, VMRO-DPMNE në të kaluarën dinte të dobësojë pozitën ndërfqinjësore dhe ndërkombëtare me qëndrimet se Maqedonisë po i rrezikohet integriteti, ose se Platforma e Tiranës kërcënon sovranitetin e vendit, por kjo garniturë e re qeveritare e din shumë mirë se duhet të mbajë një balancë serioze në aspektin pozitiv dhe jorestriktiv. Çdo favorizim i njërës palë mund të irritojë palën tjetër dhe e gjithë kjo krijon një disbalancë politike në rajon, thotë Bilalli.
“Sa i përket pjesës së dytë lidhur me Shqipërinë dhe Kosovën, edhe në njërin shtet edhe në të dytin, te njëri janë mbajt zgjedhjet, por nuk është formuar Qeveria, te i dyti tash shpejt do mbahen zgjedhjet, kështu që nuk është e rekomandueshme që të bëjnë vizita në këtë situatë. Pas formimit të Qeverive, jam i sigurt se do të ketë vizita dhe do të çojnë mesazhe shumë pozitive”,- tha profesori universitar, Mersel Bilalli.
Rekomandimet e Komisionit Evropian për përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore duhen respektuar, por ndërtimi i raporteve të mira ndërfqinjësore, veçanërisht me fqinjët me të cilët ka çështje të hapura, duhet të jetë prioritet i politikës së jashtme të Maqedonisë, shprehet profesori universitar, Mersell Bilalli.
SANIJE DURAKU
