Maqedoni
Nisma për të zgjatur pushimin e lindjes, Mirakovska: Pushimi, shkas për diskriminim; Ismajloska: LSDM ngulfat nismën civile
21.06.2017 17:57
Nisma civile për të zgjatur pushimin e lindjes nga 9 në 18 muaj përplas deputetët e shumicës dhe opozitës në Komisionin për punë dhe politikë sociale...

Sipas deputetëve të shumicës parlamentare, kjo çështje kërkon shqyrtim më të gjerë, ndërsa propozimi konkret përveç që rëndon buxhetin për disa milionë euro në nivel vjetor, mund të ul shanset e femrave gjatë punësimit.
“Parashtrohet pyetje nëse punëdhënësit do t’i pranojnë. A ka mundësi që të ndodh një diskriminim i heshtur, sidomos kur bëhet fjalë për sektorin privat. Duhet shqyrtuar sa muaj pushim optimalisht duhet të sigurohen. Është mirë që për këtë të vendosim me konsensus”,- tha Sonja Mirakovska nga PRSD.
Mirëpo, deputetët e opozitës akuzuan shumicën se nuk po përfillin nismat qytetare dhe kjo është në kundërshtim me fushatën e tyre parazgjedhore për përfshirjen e sektorit civil dhe iniciativat qytetare në vendimmarrje.
“Dje në media u paraqit sekuencë e seancës së shtatë të qeverisë ku ministrja e re për Punë dhe Politikë Sociale, Milla Carovska, informon se duhet të merret qëndrim negativ dhe të refuzohet kërkesa për zgjatjen e pushimit të lindjes për shkak të kushtimisht thënë implikimeve financiare. Kështu Caroska dhe LSDM përpiqen ta ngulfasin nismën civile”,- tha Nolla Ismajloska nga VMRO-DPMNE.
Gjatë shqyrtimit fillestar të nismës civile, edhe shumica edhe opozita ranë dakord për të pranuar idenë për të vazhduar pushimin e lindjes, por kundërshtuan nismën për shkak të kundërthënieve në përmbajtjen e tekstit. Konform ligjit aktual, punëtorja ka të drejtë për pushim të lindjes me pagesë nëntë muaj pa ndërprerë dhe 15 muaj nëse lind binjakë.
SHPËTIM NUREDINI
